Një letër vajzës time
Shkruar nga: Kaltrina Ademi
Ti që akoma nuk egziston, ndoshta nuk do të egzistosh kurrë, ndoshta nuk do ta kem fatin të kem vajzë apo fëmijë, apo familje. Por në çdo rast, me shpresën që do të kem, me shpresën që do të egzistosh ndonjë ditë dhe që do të dëgjoj zërin tënd duke qarë dhe marrë frymë për herë të parë, me atë shpresë po e shkruaj këtë pjesë.
Vajza ime, ndoshta mami yt në atë moment kur bëhet mami yt do të ketë harruar se si është të jesh vajzë. Ndoshta do të ketë harruar se si është të jesh e ligë, të ndihesh e pasigurtë në vendimet që merr, ti kundërvihesh kritikave të njerëzve, kritikave ndaj qenies tënde, gjinisë tënde, vendimeve të tua. Ndoshta mami yt, në atë ditë kur bëhet mami yt…do të jetë aq e fortë sa që i ka harruar dhimbjet që ka përjetuar deri në momentin që të ka pas ty në krah.
Njeriu kur i kalon vështiresitë, ato fillojnë të bëhen hije në kujtesën e largët, duken si ëndrra, duken si diçka që nuk ka qenë kurrë. Dhe ndoshta edhe unë, si mami yt, do harroj se si ndihet një vajzë. Ashtu si sot që nuk mund ta paramendoj dot që edhe mami im, gjyshja jote, ka qenë ndonjëherë vajzë, e pasigurtë në çdo hap që bënte.
Por dije që edhe unë sot, jam pikërisht si do të jesh ti një ditë.
Dhe unë sot të shkruaj që të të mësoj një gjë, një gjë që nesër ndoshta do e harroj se do jetë aq e vetëkuptueshme për mua sa që do harroj të ta mësoj edhe ty:
Lumturinë tënde nuk do e gjesh në buzët dhe krahët apo mendimet e njerëzve të tjerë apo shoqërinë në të cilën jeton, dhe as në krahët e mi dhe duke bërë atë që unë të them të bësh.
Të kërkoj falje nëse një ditë do të mundohem të të imponoj se si duhet të jesh, kë duhet të duash, dhe çfarë duhet të thotë një vajzë. Të kërkoj falje shumë, se ndoshta do e bëj nga frika, ndoshta do e bëj nga injoranca por ndoshta edhe nga vetë eksperiencat e mia të cilat nuk duhet të kenë ndikim tek ti.
Më fal në qoftë se, idealet e mia do të duken të padrejta, të papërshtatshme, jo të logjikshme për atë çka do të kërkojë shpirti yt. Kërkoje atë që e dëshiron, dëgjoje atë që vjen nga thellësia e mendimeve të tua, që kristalizohet nga çdo këngë që të pëlqen, çdo libër që lexon dhe çdo eksperiencë që të frymëzon të jetosh. Dëgjoje veten, mësohu ta duash veten më shumë se çdo validim ekstern, më shumë se çdo kompliment dhe më shumë se çdo përkdhelje.
Duaje veten.
E di që nuk është e lehtë, të biesh në dashuri me diçka që ndoshta nuk përputhet me idealet që të tjerët i presin nga ti. Besomë që nuk është asnjëherë e lehtë, të jesh person i drejtë-përdrejtë, që ngre zërin lart në një kulturë e cila e sheh idealin e gruas si diçka të kundërt nga kjo. Mami yt e ka pasur shumë vështirë ta dojë vetëveten, kur një kulturë e tërë i thoshte që personaliteti i saj “i fortë” nuk përputhet me idealin “femëror”. Por dije që mami yt, sot si vajzë, e ka kuptuar që lumturia e saj nuk gjindet në idealin e të tjerëve, dhe po ashtu nuk do gjindet as lumturia jote.
Dhe ndoshta ky tekst po tingëllon sikur unë dua që ti të jesh narcizoide apo egiste që të jesh e lumtur, por më lejo të të mësoj që: Njeriu kur nuk e do vetveten nuk është në gjendje të pranojë e as të japë dashuri të pastër askund, dhe nuk do të mundë të luftojë për lumturinë e vetë asnjëherë. Asnjëherë, asnjëherë dhe asnjëherë.
Forca e vendimet e tua do të jenë rezultat i dashurisë për atë që je, dhe atë që dëshiron të jesh. Mami yt, sot, si vajzë e ka kuptuar teorinë e kësaj që po thotë, por për fat të keq nuk e jeton çdo ditë, nuk e jeton me plot besim aq sa duhet. Por ndoshta një ditë, dhe e di që ajo ditë do të vijë, kur do e jetojë çdo ditë dhe do i duket aq e lehtë, njësoj siç mbush mushkëritë me oksigjen. Dhe ndoshta atë ditë, shpresoj që atë ditë dhe asnjë ditë më herët, do të bëhem mami yt.
Se vetëm atëherë e meritoj të jem mami yt. /A.A.