Një grua për Tiranën?
Gara për Bashkinë e Tiranës ka nisur ditët e fundit në rrjetet virtuale.
“Panorama” shkruan sot Kryeministri Rama ka fokusuar në dy albumet e tij të fundit, të postuara në Facebook, deputeten e LSI-së Monika Kryemadhi, si rrallë ndonjëherë dhe jo rastësisht.
Si pjesë e delegacionit që shoqëroi kreun e Ekzekutivit në Bruksel më 9 dhjetor, ishte dhe deputetja e LSI-së. Por, përveç fotografive në grup nga takimet që u zhvilluan me krerët e Parlamentit Europian, Kryeministri Rama ka publikuar dhe një foto të Monika Kryemadhit gjatë një forumi ku Kryeministri ishte në podium dhe mbante fjalën.
“Panorama” shkruan sot se fokusimi i Kryemadhit në këtë foto si personazhi kryesor, tregon për vëmendjen e kreut të qeverisë për ta portretizuar figurën e deputetes së vjetër të Parlamentit shqiptar. Nëse i shtojmë këtu dhe maninë e Kryeministrit si një kurator i kujdesshëm i fotografive që ai poston në Facebook, tregon se asgjë nuk ndodh rastësisht. Në një tjetër foto, edhe më të qartë, Monika Kryemadhi është e fokusuar qartë në qendër të fotos, ndërsa personat e tjerë në sfond shfaqen flu. Është albumi fotografik i hedhur në datën 10 dhjetor, gjatë aktivitetit të OSBE-së në Tiranë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kur sot, Presidenti i Republikës do të shpallë datën e zgjedhjeve vendore të 2015 e kur emri i Monika Kryemadhit artikulohet në korridoret e politikës si kandidate potenciale për Bashkinë e Tiranës, fotot e saj në albumet fotografike të Kryeministrit nuk duken se s’kanë lidhje me këtë garë. Beteja për Bashkinë e Tiranës brenda maxhorancës duket se bëhet edhe më interesante, nëse vendosim në të njëjtin ballafaqim dhe zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Pas dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës të Gent Sejkos për guvernator, Kryeministri Rama nuk ka shprehur asnjë qëndrim, ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e ka cilësuar këtë dekret si një detyrim kushtetues të Presidentit.
Lexo më shumë në Panorama.com.al