Këtë të hënë, dhjetëra mijëra gra në Meksikë qëndruan në shtëpi, u larguan nga puna, shkolla, ngjarjet sociale dhe funksione të tjera publike. Por jo për arsye karantine, por për të protestuar ndaj femicidit.
Kjo iniciativë erdhi një ditë pas demonstratave masive për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Grave, më 8 Mars.
Disa shoqata feministe kanë bërë thirrje për një “Ditë pa Gratë” në 9 Mars për të denoncuar femicidin, mosveprimin nga autoritetet dhe më përgjithësisht seksizmin në shoqërinë meksikane.
Nisma u nis në muajin shkurt përmes rrjeteve sociale nga kolektivi feminist Brujas del Mar, me origjinë nga shteti Veracruz, në lindje të vendit, me moton ‘El nueve ninguna se mueve’ (‘Më 9, askush nuk lëviz”).
Dhuna ndaj grave në Meksikë është veçanërisht dramatike. Sipas shifrave zyrtare, Meksika regjistroi 1.006 vrasje të grave në vitin 2019, një kërcim prej + 136% që nga viti 2015.
Numri aktual ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë. Vendi u trondit kohët e fundit nga vrasja brutale e një gruaje të re 25-vjeçare nga burri i saj, si dhe nga vdekja e një vajze shtatë vjeçare, e torturuar nga disa njerëz.
Lëvizja grevë e 9 Marsit, u mblodh nën një slogan tjetër “Ni una menos”, që do të thotë “Jo një më pak” në spanjisht, i cili është bërë popullor prej disa vitesh demonstrime kundër dhunës seksiste në Amerikën Latine dhe Spanjë.
Burimi: Euronews
Burimi i fotos: Eduardo Verdugo/AP