Ngacmimet seksuale/ Studentët e Universitetit të Prishtinës në protestë kundër profesorit
Një protestë kundër ngacmimeve seksuale është zhvillua nga studentë të Universitetit të Prishtinës së bashku me Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA). Protesta është zhvilluar në oborrin e rektoratit kundër dhënies së gradës “profesor i rregullt” për pedagogun Milaim Sejdini.
Mbi profesor Sejdinin rëndojnë akuzat e shkeljes disiplinore si dhe ngacmimit seksual. Sipas burimeve pranë “Ekonomia online” Milaim Sejdini ka ngacmuar seksualisht një studente e cila ishte kandidante për doktoraturë asokohe.
“Ne jemi mbledhur në këtë tubim protestues për të kërkuar pezullimin e profesor Sejdini dhe hetimin për akuzat që rëndojnë mbi të. Mbi të rëndojnë akuzat e falsifikimit të nënshkrimit, për plagjiaturë si dhe abuzim seksual, ndërkaq senati i Prishtinës pritet të lidhi kontratë të përhershme me profesorin në fjalë” shprehet një prej studentëve protestues.
Donika Hoti, një tjetër studente pranë Universitetit të Prishtinës u shpreh se një profesor i tillë nuk meriton të ketë një kontratë me universitetin. “Ndaj Milaim Sejdinit janë ngritur tri akuza, njëra më e rëndë se tjetra: për plagjiaturë, për falsifikim dhe për ngacmim seksual ndaj një studenteje” u shpreh studentja Hoti.
Protestuesit kanë kërkuar nisjen e hetimeve për të gjitha akuzat ndaj tij, si për plagjiaturë, falsifikim dhe ngacmim seksual./k.m/
Burimi: Insajderi