Ngacmimet seksuale në universitetet në Kosovë, zv.rektorja i vë fajin veshjes “provokative”
Foto: Insajderi
Dukuria e ngacmimeve seksuale në institucionet e shkollave ka qenë në vëmendjen e organizatave lobuese për të drejtat e grave në Kosovë. Këto ngacmime seksuale shprehen në forma të ndryshme, deri në shantazhimin me marrëdhënie seksuale në këmbim të notës. Këto organizatat tregojnë njëzëri se studentet të ngacmuara seksualisht ndihen të tërhequr për të raportuar për këto ngacmime. Për më tepër dhe Kodi Penal në Kosovë e cilëson vetëm sulmin seksual si kundravajte penale, por jo ngacmimin seksual.
“Jemi të shqetësuar pasi e shohim fenomenin e ngacmimeve seksuale në universitet si një fenomen të përditshmërisë” u shpreh Luljeta Demolli, drejtoreshë e QKSGJ (Qendra Kosovare për Studime Gjinore) gjatë emisionit “Frontal” në televizionin kosovar “T7”. Specifikisht në qytetin e Ferizaj në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara janë raportuar dy raste ngacmimesh ku përfshihen SMS të dërguara në orët e vona ose kërkesa për të pirë kafe jashtë orarit të mësimit. Këto raste janë paraqitur në organizatën “Demokracia studentore”.
Deklarata e zv.rektores
Pjesë e emisionit ishte dhe zv.rektorja Teuta Pustina Krasniqi, njëkohësisht profesor-asistente pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës (UP). Ajo u shpreh tekstualisht:
“Por një porosi për gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrav ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat. Prandaj i apeloj vajzat e reja që janë një pjesë e një institucioni shumë serioz, në të cilin kryhen ligjërata nga profesorë dhe asistentë, për këtë duhet të respektojnë kodin e veshjes”
Reagimi i shoqatave në shoqërinë civile
Deklarata e zv.rektores ka shkaktuar reagime midis shoqatave të shoqërisë civile, të cilat e kanë kritikuar retorikën e Krasniqit dhe sipas të cilave justifikon dhe legjitimon sjelljen e agresorit seksual.
“Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis” ka dënuar gjuhën e zv.rektores duke bërë të ditur se janë mjaft të shqetësuar me këto deklarime, pasi kanë ndjekur nga afër gjendjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Gjakovës, Mitrovicës e Prizrenit, si dhe mbi bazën e kësaj kanë hartuar një raport.
ORCA (Organiazata për Rritjen e Cilësisë në Arsim) ka kërkuar largimin e zonjës Krasniqi nga pozicioni i zëvendës-rektores. Në njoftimin për shtyp të kësaj organizate thuhet: “ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat e zv.rektores Krasniqi e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik”
Emisioni i plotë:
https://www.youtube.com/watch?v=KF4ZYa1uqJw&t=299s
/k.m/