Nga viktimë e dhunës në sipërmarrëse
Të paktën një ndër tre gra në botë është dhunuar fizikisht, përdhunuar ose ka rënë viktimë e abuzimit në familje. Shumë prej tyre nuk duan që ta kujtojnë dhe tregojnë atë që kanë përjetuar.
Ka përparësi që formimin e ka nga një miks kulturash, sepse kjo i jep mundësinë të kuptojë më mirë të tjerët. Diçka shumë e ndryshme nga rinia e saj e hershme, kur në moshën e brishtë 19-vjeçare ra në dashuri me një burrë që do t’i shkaktonte shumë vuajtje me pas.
“Rashë në dashuri shumë shpejt. Por unë jam aziatike, edhe pse nëna ime është austriake, kështu që prindërit e mi prisnin që unë të kisha një martesë të rregulluar. Prindërit më thirrën njëherë dhe më thanë: Ne kemi një djalë për ty. Ju thashë nuk e dua. Nuk e njoh këtë djalë dhe në fakt e kam një të dashur. Atëherë më vunë para zgjedhjes që unë të mos e takoja më të dashurin tim. Unë nuk e pranova dhe u martova në moshën 19-vjeçare me një djalë 12 vjet më të madh se vetja. I cili gjithashtu dija që kishte qenë i martuar njëherë. Por në fakt ai kishte qenë dy herë i martuar më parë”, thotë sot Madi Sharma.
Kur i duhet të kujtojë momentet e dhunës ,Madi përpiqet të jetë e ftohtë, megjithëse jo vetëm që nuk ka qenë e lehtë, por edhe sot gjurmët janë të pranishme.
“Kur u bëmë familjarë, ishte me të vërtetë e çuditshme. Pasi ngela shtatzënë, fokusi im ishte tek krijesa. Ai nuk e pëlqeu këtë gjë. Pas lindjes së fëmijës së parë erdhi edhe shtatzënia e dytë dhe këtu filloi vëmendja e vërtetë. Ai ende nuk më kishte prekur, por dhuna psikologjike ishte shumë e madhe. Vendosëm të merrnim një pushim. Gruaja e mikut të tij më të mirë më ftoi në Gjermani. Pasi u ktheva nga vizita, më telefonoi në shtëpi për të më pyetur a mbërrita mirë. Çfarë dreqin? Kush është ky burrë që të telefonon ty nga Gjermania? Më kapi për fyti dhe më tërhoqi në dhomën tjetër dhe më gjuante vazhdimisht. Por ishte mjaftueshëm i zgjuar që të mos më prekte fytyrën. Ai u sigurua që askush të mos e merrte vesh që më kishte prekur. Ishte një ditë e nxehtë vere. Fqinjët ishin jashtë dhe unë po bërtisja, por nuk kishte asnjë mënyrë që ata të më dëgjonin. Ishte e pamundur të lëvizja, ngeca në dysheme për disa orë. Në fund ishte përsëri ai që më detyroi të çohesha. Gjashtë muaj më vonë, bashkë më fëmijët e braktisa”, kujton me dhimbje Madi.
Dobësia në qënien e ndokujt ka raste që del në sipërfaqe. Kjo grua ka arritur deri aty sa ka menduar vetëvrasjen, por kjo nuk ka qenë e thënë të ndodhë. Ashtu siç vetë asaj i pëlqen të kujtojë “çfarë nuk të vret, të bën më të fortë”. Kaq mbase është pak, por ka raste kur është mjaftueshëm për të gjetur forcën brenda vetes.
“Në vendin e punës kam pasur një kuti me pilula. Mbaj mend që iI mora dhe i thashë vetes do ti pi. Kam mjaftueshëm probleme. Fëmijët e mi do të jenë më mirë pa mua. Më pas reflektova. Jo, i thashë vetes, fëmijët e mi nuk do të jenë më mirë pa mua. Ata do të kthehen tek ai dhe ai mund t’u bëjë të njëjtën gjë atyre. Kurrë nuk e kam hedhur shikimin pas, kurrë. Nuk i uroj dhunë në familje askujt. Por ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur mua. Nëse nuk ju vret, ju bën më të fortë. Është mëse e vërtetë. Arsyeja pse e them këtë është e thjeshtë. Unë nuk dua asgjë. Unë jam e fortë tani. Po të gjitha gratë aty jashtë? Cdo një grua në tre vuajnë dhunën në familje. Mos rri! Mos e lejo të ndodhë! Meshkujt janë shumë të dobët nëse nuk komunikojnë. Dhe meshkujt e dobët, i kanë frikë gratë e forta. Në rast se ata mendojnë se ne duam të kontrollojmë botën kjo nuk është e vërtëtë. Ne thjesht duam të trajtohemi si qënie të barabarta. Gratë janë nëna, motra, teze, vajza. Nëse jemi mjaftueshëm të mira për këto, ju siguroj që jemi mjaftueshëm të mira për të qenë të barabarta”, thotë ajo.
Sot, Madi është një sipërmarrëse mjaft e njohur ndërkombëtarisht, edhe pse pas shpatullave ka një histori të vecantë. Jo vetëm për arsyen se ajo vjen nga dhuna në familje, por mbi të gjitha sepse ka arritur ti ikë pozicionit të viktimës dhe pa asnjë kualifikim ajo ja ka dalë të ketë një grup sipërmarrjesh ndërkombëtare private dhe sociale si dhe një rrjet OJF-sh.
“Jam grua, jam aziatike, dhe si e mbijetuar e dhunës në familje nuk kisha vetëbesim dhe mendova: Ç’mund të bëj? Bëra katër samossa. Një ushqim indian i përbërë nga perime pikante. Bëra katër, dola jashtë dhe i shita. Pastaj bëra 15 e kështu me radhë. Dua t’ju them grave që kanë të gjitha aftësitë e nevojshme për të themeluar një biznes. Më pas mblodha 15 gra të tjera që punonin për të njëjtën gjë në kuzhinën time. Pra nuk isha vetëm unë. Ishim ne. Por erdhi një moment dhe dështova. Dhe jam duke qeshur tani sepse më është bërë e zakonshme t’ju them të njerëzve që kam dështuar. Por më të suksesshmit e kanë të vështirë ta pranojnë që kanë dështuar gjatë rrugës. Pas kësaj pyeta cfarë do të bëj tani? Nisa një kompani eksport- importi nga India, duke sjellë produkte nga gra që i punonin me dorë. Më pas filluam një biznes edukimi. Më pas bëmë një grup kompanish bashkë. E më pas një akademi. Ndërsa tani kemi biznese mbështetëse për edukimin dhe fuqizimin e grave në botë. Dhe motoja e kompanisë sonë është : Jo justifikime!”, këshillon Madi.
Kjo grua, megjithë kontradiktat dhe ngjarjet shënjuese që përbëjnë jetën e saj, erdhi për të dhënë një mesazh për të gjitha gratë e dhunuara, në rrekje për të kapur barazinë e tyre, atyre që nuk kanë vetëbesim. Ajo e thotë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme që nëse e dëshiron diçka, mund ta kesh dhe nëse do të jesh dikush, mund të jesh!
“Po iki duke të dhënë një dhuratë. Sigurisht kartvizitën dhe fjalën. Nga ana ime unë angazhohem që do ta mbështes Shqipërinë aq sa do të mundem, kudo që do të jem. Ndërsa ti duhet të bësh një angazhim ndaj meje. Në rast se ke një ide, ktheje në veprim. Merr vendimin çfarë do të bësh. Vendose në kuletën tënde. Çdoherë që ta hapësh atë, e para do të mendosh për mua, së dyti, do të kujtohesh që ke marë një angazhim për të bërë ndryshimin”, porosit Madi Sharma./A.A.