Nga Hirushja tek Kësulëkuqja, Franca i thotë jo përrallave seksiste
“Mbanjini larg fëmijëve ata libra!”: jo, nuk ka të bëjë me 50 Hijet e Grisë apo me ndonjë tjetër best seller erotik. Por për Kësulëkuqen, Hirushen, Hansel dhe Gretel, klasikë të mëdhenj të letërsisë për fëmijë që për disa ekspertë francezë janë të mbushur me përmbajtje seksiste. Në Paris, Ministrja e Arsimit, Najat Vallaud-Belkacem, njoftoi gjuetinë për stereotipet gjinore në tekstet shkollore.
Programet e reja të shkollës fillore, paralajmëroi nxënësja e Francois Hollande, “janë një mundësi e rëndësishme për të përmirësuar tekstet dhe për të parandaluar stereotipet dhe diskriminimin që ushqejnë pabarazinë mes nxënësve.” Për ta bërë këtë, thotë Le Figaro sot, lideri i Partisë Socialiste mbështetet në një studim të qendrës Hubertine Auclert, një shoqatë e angazhuar për barazinë gjinore, me emrin e një feministeje të madhe të fund shekullit të tetëmbëdhjetë.
Hulumtimi mbi përfaqësimet seksiste në vitin e parë të shkollës fillore shqyrton 22 manuale të ilustruar për të rinjtë. Publikime në të cilat vetëm “39% e personazheve janë të gjinisë femërore,” thonë studiuesit. Është më keq akoma. Që në imazhet e para të librave për të mësuar të lexojnë, vajzat përfaqësohen sidomos brenda shtëpisë, ndoshta duke luajtur në ambiente të mbyllura. Ashtu si nënat, shpesh në kuzhinë ose duke bërë punët e shtëpisë, ndërsa profesionet shkencore, në 97% të rasteve, përfaqësohen vetëm nga figura mashkullore.
Pastaj vjen paralajmërimi në lidhje me shumë përralla të kulturës popullore, si p.sh. Kësulëkuqja, Hirushja, Hansel dhe Gretel, shpesh “të mbushura me përfaqësime seksiste”. Shoqata shpreh keqardhje se shumica e këtyre gurthemeleve të letërsisë për fëmijë, shtypin “personazhet femra me stereotipet e tyre.” Dhe për fat të mirë që në njëzet e dy vëllimet të marra në shqyrtim, ka edhe disa heroina të forta, të cilat “futen në veprim pa u varur nga personazhet meshkuj”, pranon qendra Hubertine Auclert. Ndërsa ende shumë manuale drejtohen me Homme për të folur për njerëzimin. Gjithashtu, në sferën shtëpiake, “modeli dominant, nëse jo i vetmi, është ai i një familjeje me dy prindër dhe një apo më shumë fëmijë.” Më konkretisht, paralajmërojnë studiuesit, bëhet fjalë për “çifte heteroseksuale me dy fëmijë të gjinive të ndryshme”. Prandaj propozimi për të vënë më shumë në dukje modele të ndryshme familjare, të tilla si me një prind të vetëm ose me prindër të të njëjtës gjini, është një model më i ngjashëm me me Francën e bumit të prindërve të vetëm dhe Mariage pour tous(Martesa e barabartë për të tërë), ligji për martesën e gejve që është një nga gurët e çmuar të Francës socialiste të Francois Hollande./A.A.