Në listën e 10 vendeve më të rrezikshme për gratë renditet dhe SHBA
Fondacioni Thomson Reuters botoi rezultatet e kësaj jave mbi një studim të 550 ekspertëve globalë për çështjet e grave, të kryera nga 26 marsi dhe deri në 4 maj. Ekspertët morën në studim vendet që kanë shkallë të lartë të dhunës ndaj grave, mungesë të burimeve ekonomike, çështjet e kujdesit shëndetësor dhe traditat që përjetësojnë rolet strikte gjinore.
India kryesonte listën si vendi më i rrezikshëm. Vendi ka rritje të dhunës seksuale ndaj grave në dekadën e fundit, përfshirë përdhunimin fatal të vitit 2012 të një gruaje 23-vjeçare në Delhi. Kohët e fundit, vendi u trondit sërish pasi një vajzë tetëvjeçare u përdhunua dhe u vra nga tetë burra në shtetin Jammu dhe Kashmir të Indisë në prill.
Reuters thotë se vendi është renditur i pari në listë për tre arsye: “rreziqet nga dhuna seksuale dhe ngacmimi, si dhe nga trafikimi i qenieve njerëzore, përfshirë punën e detyruar, skllavërinë seksuale dhe robërinë shtëpiake”.
Shtetet e Bashkuara janë të vetmet nga shtetet perëndimore të renditura në listë, duke u renditur në vendin e 10-të. Sipas Reuters, SHBA-ja ndodhet në listë për shkak të dhunës seksuale ndaj grave amerikane, siç janë “përdhunimi, ngacmimi seksual, dhe mungesa e qasjes në drejtësi në rastet e përdhunimit “.
Anketa u krye pasi lëvizja “Me Too” u bë virale në SHBA.
Afganistani, Siria, Somalia dhe Arabia Saudite morën përkatësisht vendin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë në listë. Reuters vëren se shumë vende në listë, si Siria, Afganistani, Somalia, Republika Demokratike e Kongos (nr. 7) dhe Nigeria (Nr. 9) ende po rimarrin veten nga luftërat civile, çka i vendos gratë në rreziqe më të larta.
Shtetet e Bashkuara dhe Siria, zinin vendin e tretë në renditjen e vendeve më të rrezikshme për gratë në aspektin e dhunës seksuale. Në SHBA çdo 98 sekonda ka një viktimë të sulmeve seksuale dhe 90% e viktimave të përdhunimit janë femra.
Në vitin 2012, Kombet e Bashkuara raportuan se përdhunimi ishte duke u përdorur si një armë lufte në Siri. Aktualisht, militantët e ISIS përdorin si skllave seksuaele mijëra gra Yazidi dhe vajza siriane./M.B
Burimi: HuffPost