Në Indi, sipas ministrit të turizmit, turistet nuk duhet të veshin funde të shkurtëra
Gratë turiste që udhëtojnë në Indi nuk duhet të veshin fustane ose funde dhe nuk duhet të dalin vetëm natën “për sigurinë e tyre”, ka thënë ministri i turizmit të Indisë.
Duke folur për mediat në Agra rreth këshillave zyrtare të Indisë për sigurinë e grave, Mahesh Sharma gjithashtu i këshilloi gratë që të bëjnë fotografi të targës së çdo automjeti me të cilin ato udhëtojnë.
Komentet e tij kanë ndezur polemika në Indi, ku gjatë viteve të fundit kanë ndodhur shumë përdhunime në grup dhe sulme ndaj grave që kanë përqendruar vëmendjen globale në këtë problem.
Ai tha: “Në këtë broshurë atyre u thuhet çfarë të bëjnë e të mos bëjnë. Janë gjëra shumë të vogla si, të mos dalin vetëm gjatë natës në vende të vogla, ose të mos veshin funde, dhe duhet të bëjnë foto të targave të automjeteve sa herë që udhëtojnë dhe t’ua dërgojnë miqve.”
“Për sigurinë e tyre, gratë turiste nuk duhet të veshin fustane dhe funde të shkurtra, tha ai. “Kultura indiane është e ndryshme nga ajo perëndimore.”
Por më pas ai i mohoi komentet e tij mbi një kod veshje. Ai shtoi: “Ne nuk kemi dhënë ndonjë udhëzim të veçantë në lidhje me çfarë duhet të veshin apo jo. Ne po u kërkojmë atyre të marrin masa paraprake, kur dalin natën.”
“Unë jam një baba i dy vajzave … Kurrë nuk do ti thosha grave çfarë duhet të veshin apo jo,” tha z Sharma.
Dënimet për përdhunim janë ashpërsuar në Indi në prag të ankesave ndërkombëtare mbi një numër sulmesh seksuale në vend, por kritikët kanë thënë se qeveria po fajëson gratë dhe kufizon lirinë e tyre më tepër se ndëshkon autorët e krimeve.
“Ishte një budallallëk, dhe një deklaratë jo plotësisht e menduar mirë,” tha për Guardian Ranjana Kumari, drejtoresha e Qendrës për Kërkime Sociale për barazi gjinore. “Ministri nuk i kupton implikimet e deklaratave të tilla të papërgjegjshme.”
Ajo tha se komentet e tij ishin pjesë e “sindromës së fajësimit të gruas”.
“Por problemi janë burrat dhe djemtë në Indi,” shtoi ajo. “Është e rëndësishme që Z. Sharma të thoshte se si do ndëshkohen autorët e krimit dhe të ndalojë çmenduria e ngacmimit të grave dhe ndjekja e tyre”.
Komentet e Z. Sharma u përshkruan nga Sreemoy Talukdar i websitit të FirstPost Indian si “të ngarkuara me mizogjini”, dhe “një pranim i hapur se shteti indian është i paaftë të sigurojë mbrojtjen dhe sigurinë e grave”.
Numri i turistëve që vizitojnë Indinë është rritur me 10 për qind vitin e kaluar, por përqindja e grave që vijnë në vend ra në 40.8 për qind të të gjithë vizitorëve, nga 41.2 për qind që ishte një vit më parë.
Z. Sharma shkaktoi polemika në Indi vitin e kaluar, pasi tha: “Vajzat që duan të kalojnë një natë jashtë mund të jetë në rregull diku tjetër, por kjo nuk është pjesë e kulturës indiane.”/A.A.