Në çmimet Grammy mbizotërojnë trofetë mashkullorë
Çmimet e Akademisë nuk janë të vetmet që dështuan në përpjekjet për të përfaqësuar përpjekjet e industrisë për përfshirje gjinore dhe rracore. Çmimet e 60-ta të Grammy-t po përballen me mëri pasi shpërblyen me trofe kryesisht artistë meshkuj. Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në CBS, vetëm një grua doli në skenë për të marrë një çmim: Alessia Cara për Artistin e Ri më të Mirë. Të gjithë fituesit e tjerë ishin burra, përfshirë Ed Sheeran, i cili shkaktoi zemërim online pasi fitoi çmimin e performancës më të mirë pop-solo në garë me katër gra.
Variety foli me presidentin e Akademisë Recording, Neil Portnow pas ceremonisë, por komentet e tij se përse gratë nuk u shpërblyen në Grammy këtë vit po tërheqin shumë reagime të ashpra. Portnow tha se është në dorën e grave që të “dalin përpara” dhe është në dorë të industrisë për ta bërë “tapetin e mirëpritjes” shumë të dukshëm për to.
“Kjo duhet të fillojë me … gratë që kanë kreativitet në zemra dhe shpirtrat e tyre, të cilat dëshirojnë të bëhen muzikante, të cilat dëshirojnë të bëhen inxhiniere, producente dhe duan të jenë pjesë e industrisë në nivel ekzekutiv … [Ato duhet] të dalin përpara sepse mendoj se do të jenë të mirëpritura”, tha Portnow. “Unë nuk kam përvoja personale të llojeve të pengesave me të cilat përballeni, por mendoj se varet nga ne – ne si industri – ta bëjmë tapetin e mirëpritjes shumë të dukshëm, duke krijuar mundësi për të gjithë njerëzit që duan të jenë krijues dhe të krijojmë gjeneratën e ardhshme të artistëve”.
Producenti i Grammys, Ken Ehrlich u pyet nga Variety se përse Lorde nuk u përfshi në një nga shfaqjet live të shfaqjes. Lorde u nominua për Grammy-n më prestigjioz të natës, Albumi i Vitit, por në mënyrë misterioze mungonte nga lista e caktuar e transmetimit live.
“Nuk më takon mua të flas,” tha Ehlrich. “Unë e prodhoj shfaqjen televizive. Nuk e di nëse ishte një gabim. Këto shfaqje janë çështje zgjedhjesh. Ne kemi një kuti dhe ajo mbushet. Ajo kishte një album të mrekullueshëm. Nuk ka asnjë mënyrë që ne të mund të merremi me të gjithë.”
Gratë shpesh kanë hasur në një betejë të vështirë në Çmimet Grammy. Një studim i USC që u botua pak para ceremonisë së këtij viti zbuloi se 90% e kandidatëve të Grammy-t të fundit ishin burra. Çmimet e 60-ta të Grammy u dominuan nga Bruno Mars, i cili fitoi Albumin e Vitit, Regjistrimin e Vitit dhe Këngën e Vitit./A.A.