Misogjinia në letrat shqipe
Etiketa “rrospi” për vajzat e hedhura e që bëjnë profesione të guximshme është më e pakta që seksit femër, pra ajo që ka lindur biologjikisht e ndryshme nga seksi tjetër, por është mbrujtur pastaj me doket e zakonet e familjes, mund t’i ngjitet. As shkrimtari ynë Ismail Kadare nuk ka bërë përjashtim kur i referohet si më lart një personazhi në një prej romaneve të tij të fundit- autobiografi: “Mëngjeset në Kafe Rostand”, për një vajzë që mesa duket vjen nga vitet e rinisë së shkrimtarit e që punonte në Akademinë e Arteve si ‘modele’ për piktura nudo.
Gjatë shijimit të rreshtave të këtij libri, që si rrallëherë nxjerr në pah vërtetësisht Kadarenë me të mira e të këqija, nga vetë ai, shiriti ‘ngec’ pikërisht te pasazhi ku personazhi i ‘modeles’ i cili ishte një variant i mundshëm për fejesë, si zgjedhje preferenciale e nënës së shkrimtarit, quhet si moralisht e papërshtatshme prej tij, pra troç: rrospi!
Është po i njëjti ai, që pastaj ngre disi në qiell autoret shqiptare gra që kanë emigruar qysh herët, por, përsëri qielli i tij duket sikur ka një tavan edhe në këtë rast… Megjithë rrudhjen e atyre që e duan fort Kadarenë për gjithçka tjetër që ai ka bërë mirë, e megjithë dëshirën time për të mbyllur sytë e për ta kaluar si humor shpotitës atë më sipër, ndërsa lexoja, ishte e pamundur për mua të mos e kaloja dy- tri- katër herë të njëjtën fjali, ku pra shkrimtari e quan vajzën modele të Akademisë: rrospi!
Pa dashur t’i nxjerr bishta mjeshtërisë së padiskutueshme në të shkruar të Kadaresë, madje, duke marrë parasysh edhe që perceptimi i shkrimtarit për ‘modelen’ i takon paksa naivitetit të kohës kur ishte i ri, marëdhënia që ai ka me seksin tjetër duket po aq delikate sa edhe marëdhënia e tij me njerëzit në përgjithësi, siç ai vetë është shprehur. E kjo, jo se shkrimtarët duhet medoemos të dallohen për socializim a filantropi.
E ndërsa çmimi Nobel ka qenë sipas zakonit, veçanërisht, një kurorëzim i shkrimtarëve që promovojnë në veprat e tyre të drejtat e njeriut, krahas me vështirësitë e sistemeve politike në të cilën njerëzit kanë jetuar, shkrimtari Kadare do të penalizohej paksa nëse do të matej sipas kandarit të parë, sado e padurueshme mund të tingëlllojë kjo.
Emri i fundit në listën e Nobelit për letërsinë këtë vit ishte shkrimtarja e gazetarja ukrainase, Svetlana Alexievich, për të shkruarën monumentale mbi kurajon dhe vuajtjen e kohës së luftës; si një pasqyrë e luftërave Sovjetike dhe post- Sovjetike. Një temë e rëndësishme në veprat e kësaj shkrimtareje janë “Gratë në kohëra lufte”.
Poetët dhe ‘gruaja’
Vargu i famshëm i Cajupit në poezinë “Fshati im”: “Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë!” pasohet nga një tjetër varg më pak i famshëm: “Moj e mjera grua ç’e do burrë zinë që ftohet në krua dhe ti mban shtëpinë!” Cajupi, shkrimtari që radhitej mes shumë emrave të tjerë rilindas, përmes këtyre vargjeve është ndoshta më feminist e gjithëkohor se gjithë shkrimtarët e poetët post- modernë marrë bashkë.
Ndërsa poeti tjetër Naim Frashëri, në poezinë e tij “Zonj’ e fatit”, i vesh fatit të keq tipare të një gruaje magjistare e shtrigë: “Po je e keqe dhe shtrigë, E pabes’ e zemërligë!” dhe sërish shprehet në femërore kur e quan “shtrigë” pleqërinë në vargjet: “M’iku me vrap djalëria E më la mbi dhé të qetë, Më erdh shtriga pleqërija, Pshehtazi, si qen’ i qetë.” Asocimi i së keqes gjithnjë me një grua plakë është një detaj që mund të të shpëtojë krejtësisht kur pastaj e ngre gruan lart me epitete si: Bukuri, Pëllumbeshë, Mbretëreshë etj. Megjithatë, mbetet sërish e qartë tendenca ose për ta hyjnizuar gruan ose për ta zhveshur krejtësisht nga cilësitë pozitive.
Kritikët dhe ‘gruaja’
Poetja , e cila fitoi përpara pak kohësh çmimin e bibliofilisë “Lumo Skëndo”, me librin me titullin erotik “Vrima” arriti kulminacionin jo aq me gjendjet orgazmike që paraqiteshin shqeto përmes vargjeve të saj, se sa me lumin e kritikave që e pasuan. Paradoksalisht, janë më shumë kritikë meshkuj se sa femra ata që e quajtën gjithçka përveçse poetike përpjekjen e Petros për të ardhur “ndryshe”.
Ishte e vështirë në fakt, ta lexoje pa paragjykuar librin e shkrimtares, por, dukej se po të rrije në distancë – larg gjykimit masiv, mund të shihje fare mirë veçanësinë dhe brumin e një stili të pazakontë…
Kritikëve të “Vrimës” mesaduket u kishte munguar frymëmarrja dhe stomaku për ta marrë më qetësisht analizën e një poezie që kërkon durim, pjekuri artistike dhe talent më vete për ta lexuar siç duhet.
E ndërsa Gabriel Garsia Markesi mund të bëhej vetëm më i famshëm dhe më i dashur për publikun mashkullor me novelën “Kujtim kurvash të trishta”, një poete grua, shqiptare natyrisht mund vetëm të kryqëzohej si vulgare dhe skandaloze, zero lirike, e çmendur dhe inçestuoze, nga pak a shumë e njëjta shije publiku; publik që sado bibliofil të jetë, turpërohet përpara vetes në ato çaste, aq sa me siguri nuk gjen dot vrimë ku të futet…/A.A.