Miratohet instrumenti i parë ligjor ndërkombëtar për të ndaluar seksizmin

‘’Shtetet duhet ta intensifikojnë luftën kundër seksizmit në të gjitha sferat e jetës’’, thuhet sipas një rekomandimi të miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës.
Në përgjigje të lëvizjes #MeToo dhe lëvizjeve të tjera të kohëve të fundit, të cilat kanë shërbyer për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me seksizmin e vazhdueshëm në shoqëri, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, miratoi një rekomandim për të ndaluar seksizmin, i cili përfshin edhe përkufizimin e parë të pranuar ndërkombëtarisht për të.
Rekomandimi thekson, se seksizmi është një manifestim i “marrëdhënieve të pushtetit historikisht të pabarabarta” midis grave dhe burrave, gjë që çon në diskriminim dhe parandalon përparimin e plotë të grave në shoqëri.
Për shkak se seksizmi është “përhapur nëpër të gjithë sektorët dhe në të gjitha shoqëritë, (…) seksizmi dhe sjellja seksiste janë të rrënjosura dhe përforcojnë stereotipat gjinorë”.
Seksizmi përcaktohet për herë të parë në një instrument ligjor, të përkushtuar për ta trajtuar atë nëpërmjet një listë gjithëpërfshirëse të masave dhe zonave ku ndodh seksizmi, nga reklamat dhe mediat, deri te punësimi, sektori i drejtësisë, arsimi dhe sporti. Nisma në veçanti synon të hedhë dritë mbi sjelljen seksiste dhe propozon mënyra konkrete për aktorët e ndryshëm për t’i identifikuar dhe trajtuar ato.
Ajo kërkon që shtetet anëtare të monitorojnë progresin në zbatimin e udhëzimeve të saj dhe të informojnë Komisionin e Këshillit të Evropës për Barazinë Gjinore, për masat e marra dhe përparimin e arritur. /l.k/
Lexoni deklaratën e plotë këtu: https://search.coe.int/directorate_of_communications/Pages/result_details.aspx?ObjectId=090000168093b532