Miratimi dhe dëshira seksuale nuk janë e njëjta gjë
Lëvizja #Metoo ka treguar sukses të madh në ngritjen e vetëdijes rreth ngacmimit dhe sulmit seksual. Kjo përpjekje është ballafaquar me reagime të tilla, siç janë tweetet e fundit të Donald Trump duke argumentuar se jetë janë shkatërruar nga akuzat dhe se nuk ka shërim për të akuzuarit e rremë.
Ndërsa një denoncim i tillë bardhë e zi mund të frenojë dialogun konstruktiv, tregime të tjera mund të nxjerrin në pah zona gri që frymëzojnë pyetje të rëndësishme rreth gjinisë dhe seksit të padëshiruar.
Një shembull është ankesa publike e një gruaje që përdor pseudonimin “Grace”, e cila përshkruan një takim seksual të padëshiruar me aktorin Aziz Ansari. Në një artikull të botuar në revistën online Babe, Grace tregon një takim që retrospektivisht ajo e ka parë si një shkelje seksuale. Grace tregon se kreu seks oral për Ansarin pas kërkesave të tij të përsëritura për marrëdhënie seksuale, të cilat ajo kuptoi se nuk ishin të mirëpritura. Kritikët e kanë akuzuar Grace për zvogëlimin e kredibilitetit të lëvizjes #MeToo duke e portretizuar veten si viktimë pasi është bërë pishman për pjesëmarrjen e saj konsensuale në aktivitetin seksual të padëshiruar.
Historia e Grace frymëzon pyetjen: “Pse një grua e re do të merrte pjesë vullnetarisht në aktivitet seksual, të cilin ajo nuk e dëshiron personalisht?”
Miratimi dhe dëshira seksuale nuk janë e njëjta gjë
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e rëndësishme të kuptojmë se seksi konsensual dhe seksi i dëshiruar nuk janë gjithmonë sinonim. Si gratë e reja ashtu edhe djemtë e rinj mund të bien dakord të angazhohen në aktivitete seksuale që ata nuk i dëshirojnë personalisht. Megjithatë, skenaret kulturore përreth marrëdhënieve heteroseksuale mund ta bëjnë këtë një realitet për gratë më shpesh sesa për burrat.
Portretet kulturore të seksualitetit heteroseksual shpesh i përshkruajnë burrat e rinj sikur kanë dëshirë seksuale më të fortë se gratë e reja. Burrat pritet të marrin iniciativën- dhe gratë pritet që thjesht të reagojnë ndaj këtyre kërkesave seksuale. Dëshirat dhe kënaqësia seksuale e vajzave të reja shihen si dytësore në krahasim me dëshirat e djemve të rinj. Kjo mund t’i vendosë gratë e reja në një pozitë që të pranojnë kwrkesa të padëshiruara dhe të marrin pjesë në seks të padëshiruar me qëllim që të kënaqin një partner mashkull.
Siç ka thënë psikologia Deborah Tolman, mesazhet kulturore që portretizojnë gratë e reja si objekte të dëshirës së djemve të rinj, dhe jo subjekte që zotërojnë dëshirën e tyre, mund t’i bëjë gratë të pambrojtura ndaj dëshirave të të tjerëve.
Rreziku i mosnjohjes së dëshirës
Gratë e reja që nuk i shohin dëshirat e tyre seksuale si arsye adekuate për t’u angazhuar në aktivitete seksuale, mund të mos kenë mundësi ta interpretojnë mungesën e dëshirës së tyre në një skenar të caktuar si arsye për të refuzuar aktivitetin seksual. Ato mund ta zhvendosin justifikimin e tyre për aktivitetin seksual larg eksplorimit të dëshirave të tyre drejt përmbushjes së atyre të një partneri mashkull.
Si një sociolog që studion pushtetin dhe seksualitetin, unë e testova këtë hipotezë me të dhëna nga një mostër prej mbi 7,000 grash universitare heteroseksuale që raportojnë për marëdhënien e tyre më të fundit seksuale.
Kam gjetur se pothuajse një e treta e grave të reja në mostër kanë raportuar se i japin përparësi kënaqësisë seksuale të partnerit të tyre. Këto gra besonin se ishte më e rëndësishme të kënaqnin partnerët e tyre sesa partnerët e tyre të kënaqnin ato.
Rreth gjysma e grave në mostër raportuan se ishte e rëndësishme për seksin të jetë i pëlqyeshëm si për partnerin ashtu edhe për ato vetë.
Kur krahasova këto dy grupe grash, gjeta se gratë që vlerësonin njësoj kënaqësinë e partnerit të tyre me kënaqësinë e tyre kishin 35 përqind më pak mundësi që të kryenin veprime të padëshiruara seksuale për të kënaqur partnerët e tyre. Ato kishin më pak gjasa të kryenin stimulimin oral ose manual sepse nuk ishin të interesuara për seks.
Lidhur me kërkesat seksuale, kam zbuluar se mbi 60 për qind e grave në mostër raportuan se partneri i tyre filloi pjesën më të madhe të aktivitetit seksual gjatë lidhjes së tyre më të fundit. Rreth 10 për qind e grave raportuan se ishin ato që filluan pjesën më të madhe të aktivitetit seksual. Krahasimi im i këtyre dy grupeve grash zbuloi se ato që nisën pjesën më të madhe të aktivitetit seksual në lidhjen e tyre më të fundit, kishin 34 përqind më pak mundësi që të mos kryenin veprime të padëshiruara seksuale për të kënaqur partnerin e tyre dhe 63 përqind më pak mundësi që ti dorëzoheshin presionit verbal për marrëdhënie seksuale .
Ndryshimi i diskutimeve rreth miratimit seksual dhe dëshirës
Sot, të rinjtë po formësojnë marrëdhëniet e tyre seksuale në një moment të veçantë kur bisedat rreth seksit, pushtetit dhe dhunës po ndryshojnë në mënyra të rëndësishme.
Kolegjet dhe universitetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara po shkojnë nga një qasje “jo do të thotë jo” në një “po do të thotë po” ndaj parandalimit të sulmit seksual. Theksi këtu është për miratimin si një dritë jeshile dhe jo refuzimin si një dritë e kuqe për aktivitetin seksual. Programe të tillë duhet të jenë të vëmendshëm ndaj natyrës së komplikuar të miratimit seksual të të rinjve në një mënyrë që dallon miratimin nga dëshira.
Të njohim gratë e reja si subjekte seksuale me dëshirat e tyre mund të mbrojë gratë e reja nga dhënia e miratimit të aktivitetit seksual të padëshiruar për qëllim të kënaqësisë së një partneri./A.A.