Ministria e Arsimit në Kosovë nuk ia doli “t’i pastrojë” librat as këtë vit shkollor
“Kur të ma bini fjalën se më ka lindur djalë, do të zbraz njëqind e një top, e nëse më sillni lajmin se më ka lindur vajzë, unë do ta pres vajzën me gjithë të ëmën”.
Kështu nis një nga përmbajtjet mësimore me titull “Vajza që u bë djalë”, të librit të leximit për klasën e katërt për shkollimin fillor.
Libri shkollor botohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë së Kosovës (MASHT), bashkë me afro 170 tituj të tjerë që Ministria u ndan falas nxënësve të arsimit të detyrueshëm.
Mësimet si ky dhe të tjerë të ngjashëm edhe në këtë vit shkollor janë identifikuar si pjesë të përmbajtjeve të librave shkollorë, megjithëse zyrtarë të Ministrisë së Arsimit patën premtuar kujdes të shtuar gjatë ribotimit të tyre, sepse mbi përmbajtjen e tyre ka pasur vërejtje dhe kritika të shumta nga prindërit, mësimdhënësit, pedagogët dhe psikologët në vitin e kaluar shkollor.
Duke u bazuar në këto vërejtje, drejtues të Ministrisë së Arsimit para se të niste ky vit shkollor, patën thënë se është ndërhyrë në përmbajtjen e gati të gjitha librave shkollorë, por në së paku dhjetë prej tyre janë hequr dhe përmirësuar disa nga mësimet apo termet rreth të cilave ka pasur vërejtje nga prindërit, nxënësit dhe të tjerë.
Megjithatë, në librat e këtij viti sërish gjenden mësime sikur ky “Vajza që u bë djalë”, ku flitet për mbretin që kishte katër vajza dhe kur po priste lindjen e fëmijës së pestë, ishte kërcënuar se nëse sërish gruaja do t’i lindte vajzë, do ta priste vajzën dhe atë.
Dhe pastaj gruaja e kishte mashtruar mbretin se i kishte lindur djalë, ndonëse edhe fëmija i pestë ishte vajzë, përcjell koha.net. E vajza kur ishte rritur, kishte hequr shumë për të fshehur nga babai të vërtetën se ishte vajzë. Kishte bërë çmos derisa ishte bërë djalë./A.A.