Mijëra punëtore seksi, industri në rritje në Kosovë
Në qytetin ku ajo e bën punën e saj, shumica e njohin njëri-tjetrin. Është ndër ato qytete ku ndodhin shumë organizime, e vala e jetës normale nuk ka se si të ndalet. Afërdita, mbi të 40-at, e hap lokalin e saj qysh në mëngjes dhe kësisoj e shijon këtë kohë të ditës duke mos pasur klientët që më vonë i vijnë për vajzat që ajo ka punësuar. Nëse mëngjesi nuk shkon me çaj, gjithmonë ekziston mundësia e alkoolit.
Ka mbi dhjetë vite që ajo e mban këtë lokal ku nuk ushtrohet prostitucion. Meshkujt e moshave të ndryshme vijnë më shumë në orët e pasdites, shumë prej tyre të gatshëm t’i shkojnë punës deri në fund.
Në këtë lokal, Afërdita tregon, ka vetëm prekje dhe shkëmbim të të hollave.
“Lokale të tilla nëpër këtë qytet ka sa të duash. Poshtë restorante, lart motele. Këtu vetëm vijnë sa të bëjnë pak hajgare me ne, ndërrojmë llafe, gjithçka është e sigurt”, tregon Afërdita. Atë vetë e kanë provokuar meshkujt e moshave të ndryshme. Në qytetin ku punëtorët e seksit po lulëzojnë, 15-vjeçarët, 35-vjeçarët dhe edhe 50-vjeçarët janë në thesin e njëjtë të dëshirës për të kaluar pak kohë me një vajzë a grua, në këmbim të parave, në cilësinë e klientit.
“Deri vonë, paratë janë dhënë pasi është kryer marrëdhënia seksuale. Tash, duke qenë se janë ankuar çikat që nuk po paguhen, pasi nuk kanë as ku të ankohen sepse kjo është e jashtëligjshme, takohen diku, e bëjnë pagesën e më vonë shihen për ta kryer aktin”, tregon Afërdita.
Janë disa rrugë të qytetit ku kafenetë e ditës natën si me magji rikthehen në vende ku ushtrohet prostitucion..Afër kësaj, afër asaj, prapa kësaj, këtu ndodh diçka. Kështu flasin vetë punëtoret e seksit dhe qytetarët në këtë qytet të Kosovës. Afërdita ka frikë për veten dhe të tjerët, ndërsa për policinë flet mirë e keq.
5037 punëtore të seksit në Kosovë
Nga hulumtimi i fundit i Programit për HIV të Fondit Global, numri i presupozuar i punëtoreve të seksit është 5037.
Nga ky numër, rreth 20 për qind operojnë në lokacione të fshehura dhe 10% janë me bazë online (web-based). Pjesa tjetër zhvillon aktivitetet e tyre në më shumë se gjashtë lloje të lokacioneve.
Me këto gra dhe femra po merret programi “Fuqizimi i parandalimit të HIV në Kosovë”, mbështetur nga Fondi Global.
“Programi i Fondit Global në Kosovë ka si komponent të veçantë parandalimin e HIV-it në mesin e punëtorëve të seksit komercial dhe klientëve të tyre. Projekti bazohet në një sistem të voucher-it, i cili u ofron punëtorëve të seksit komercial që falas të marrin shërbime gjinekologjike dhe të testohen në katër infeksione që barten përmes marrëdhënieve seksuale dhe gjakut: sifilizi, hepatiti B, hepatiti C dhe HIV-i. Në rastet kur dyshohet në infeksionet tjera ofrohet terapi bazike falas”, tregon Edona Deva nga CDF-ja.
Afërdita tregon se shuma e paguar nga klientët për punëtoret e seksit është modeste.
“Prej katundeve është më ndryshe. Vajzat bëhen punëtore seksi sepse nuk kanë bukë me hëngër dhe e kanë parë leverdinë financiare. Disa e shesin trupin edhe për 5 ose 10 euro. Kur ka ra skamja në Kosovë, ka nisë edhe më shumë me u zhvillu kjo punë”, tregon Afërdita. Në qytetin ku ajo jeton, thotë se shumë femra i ka kthyer në shtëpitë e tyre.
Trafikimi dhe nëntoka, aty ku mund të nisë e zhvillohet gjithçka
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, vepron krahas legjislacionit, i cili në asnjë mënyrë nuk e mbështet ushtrimin e prostitucionit si veprimtari normale. Shumë raste të prostitucionit nisin ose zhvillohen si rezultat i trafikimit me qenie njerëzore. Një nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme që dalin nga ligji për Policinë është edhe parandalimi, hetimi dhe zbulimi i veprave penale, në këtë kontekst edhe luftimi i trafikimit me njerëz.
Të dhënat e Policisë tregojnë se trafikimi vazhdon në Kosovë. Në vitin 2014, gjithsej numërohen 37 femra të trafikuara në Kosovë, ndërsa një vit më pas janë 28. Në vitin 2014 janë trafikuar 5 meshkuj, ndërsa vetëm 2 janë trafikuar në vitin 2015.
“Është zor e besueshme që femrat e trafikuara do të mundë të ofronin shërbime të këtilla me dëshirën e tyre. Ato me shumë gjasa janë të detyruara ta ushtrojnë këtë profesion. Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë kemi të bëjmë me femra që trafikohen brendapërbrenda territorit ose edhe nga Shqipëria. Në shumicën e rasteve vajzat e reja rekrutohen për të kryer punë të rregullta si kameriere ose valltare, dhe më pas ato ofrojnë shërbime seksi për të cilat paguhen”, tregon Deva nga CFD-ja.
Ajo megjithatë dëshiron të potencojë se trafikimi dhe seksi komercial janë dy koncepte të ndryshme dhe nuk duhet përzier me njëra-tjetrën, nuk duhet pasur ngjyrime të përbashkëta. Thënë më shkurt, jo çdo punëtore seksi duhet të mendohet si produkt i trafikimit dhe se ka realisht gra dhe femra që janë punëtore seksi, pa qenë viktima trafikimi.
Në të dhënat e Policisë së Kosovës për muajin janar të këtij viti, janë gjithsej 5 viktima të identifikuara të trafikimit brenda territorit të Kosovës, të gjitha femra. Vitin e kaluar kanë qenë gjithsej 30 viktima, mes tyre vetëm dy meshkuj, ndërsa në vitin 2014 janë identifikuar 42 viktima të trafikimit, mes tyre një person nga Rumania dhe një nga Serbia.
KOPF-i, në kuadër të programit të Fondit Global, përveç me punëtoret e seksit komercial, punon në vetëdijesimin e klientëve potencialë përmes informimit, edukimit dhe komunikimit dhe shpërndarjes së kondomave.
“Normalisht që asnjëri nuk e pranon se merr këso shërbimesh, por klientët potencialë ose informatorët në rastin tonë janë taksistët, vozitësit e kamionëve të linjave të gjata, tek këta ne intervenojmë me prezervativë dhe kjo momentalisht është qasja jonë ndaj parandalimit të përhapjes së ndonjë sëmundjeje apo infeksioni”, tregon Rifat Batusha nga KOPF-i.
Punëtoret e seksit duhet të mos jenë të kriminalizuara
Turqisë i janë dashur shumë vite për ta legalizuar prostitucionin. Regjistrimi i vitit 2004 numëron mbi 100 mijë punëtore seksi në mbarë Turqinë. Në Maqedoni e në Serbi prostitucioni është ilegal, konsiderohet krim dhe dënohet deri në 10 vite burg. Në Belgjikë prostitucioni është legal, por shtëpitë publike janë të kundërligjshme.
Batusha pohon se do të ishte ideale që të rishikohen ligjet, sepse dekriminalizimi i punëtoreve të seksit do t’i ndihmonte edhe shëndetit publik në përgjithësi.
“Legjislacioni është shumë i ashpër krahas këtij komuniteti, shumë të degraduar dhe stigmatizuar në Kosovë. Po të ishte legjislacioni më i favorshëm do ta lehtësonte punën edhe për t’i ditur vendet ku zhvillohet veprimtaria, për ta ruajtur shëndetin e këtyre femrave dhe atë publik”, tregon Batusha.
KOPF-i asiston po ashtu me pako parandaluese dhe pakon e shëndetit riprodhues ndaj punëtoreve të seksit. Batusha thotë se sado që është provuar të flitet dhe të debatohet mbi ndryshimin e ligjeve, institucionet tona nuk janë të gatshme për diçka të tillë.
Ndërkohë, Afërdita vazhdon të punojë në këtë biznes. Në një formë ajo është aktiviste. Edhe për të jeta do të ishte më e lehtë nëse shteti do t’i shihte me sy tjetër gratë që e shesin trupin e tyre.
“Për të gjithë do të ishte ma e lehtë sepse më pas do të diheshin vendet. Unë tash ende i ndali vajzat në rrugë, ju jap këshilla për shëndet edhe kuponë për shërbime shëndetësore falas. Nëse ndryshon ligji, ndryshojnë edhe këto gra e femra”, tregon për neve Afërdita.
Krejt çka Afërdita* dëshiron është një zgjidhje, në mënyrë që askush të mos marrë infeksione e sëmundje. Në qytetin ku ajo bie çdo natë e zgjohet çdo mëngjes përditshmëria është e palëkundur dhe shpesh di të bëhet më e keqe sesa tingëllon. Ajo thotë se duke i shtypur dhe izoluar këto gra, po bëhet një veprim nga i cili pasojat kjo shoqëri do t’i vuajë fuqishëm, kur ndoshta do të jetë shumë vonë.
*Për redaksinë, qyteti dhe emrat e personazheve në tekst janë të njohura, por janë ndërruar për shkak të temës sensitive dhe për të mos dashur ta cenojmë emrin, identitetet e ndryshme dhe lirinë e asnjë individi. Emrat dhe mosha e disa prej personazheve janë ndryshuar nga redaksia./A.A.