Meshkujt afganë marshojnë të veshur me burka për të drejtat e grave
Një grup burrash afganë marshuan përmes kryeqytetit Kabul të veshur me burka për të bërë fushatë për të drejtat e grave.
Burrat marshuan të enjten veshur kokë-e-këmbë me burka blu të ndritshme, veshje që mbulon trupin e femrës dhe ka rrjetë mbi fytyrë.
Ideja ishte që të tërhiqnin vëmendjen ndaj të drejtave të grave duke veshur veshje që, për shumë njerëz, simbolizon shtypjen e grave.
U zhvillua përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars.
“Autoritetet tona do të festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas në hotele të mëdha, por ne donim që ta nxirrnim atë në rrugë”, tha aktivisti 29 vjeçar Basir, për Reuters.
“Një nga mënyrat më të mira për të kuptuar se si ndjehen gratë, është që të ecim rrugëve dhe të veshim burka.”
Disa prej meshkujve, të cilët janë të lidhur me një grup të quajtur Vullnetarët afganë të Paqes , thanë se të vishje një burka ndjeheshe “si në burg”.
Ata mbanin parrulla që lexonin: “barazi”, dhe “Mos i tregoni grave çfarë të veshin, ju duhet të mbuloni sytë tuaj”.
Talebanët i detyruan gratë të vishnin burka në publik gjatë sundimit të tyre në vitet 1990, por ajo ende mbetet e zakonshme në shumë pjesë të Afganistanit.
Ka patur progres për të drejtat e grave gjatë viteve të fundit, por organizatat e të drejtave të njeriut janë të shqetësuara sepse shumë po mbetet pa u bërë.
Marshimi, i cili u ndoq nga rreth 20 burra, pati reagime të ndryshme nga vëzhguesit.
“Protesta e sotme kundër burkas është një veprim perëndimor,” i tha një burrë një gazetari të ITN. “Gratë nuk duhet të mashtrohen nga kjo lëvizje sepse Islami u jep grave të drejtat më të mira.”
Polici i trafikut Javed Haidari, 24 vjeç, tha: “Ku duan të dalin me këtë? Të gjitha gratë në familjen time veshin burka. Unë nuk do ti lejoja të dilnin pa një të tillë.”
Disa kalimtare femra nuk ishin gjithashtu aspak entuziaste.
“Ne nuk kemi nevojë për askënd që të mbrojë të drejtat tona”, tha Medina Ali, një studente 16-vjeçare e veshur me një vello të zezë që tregonte vetëm sytë e saj dhe doreza të leshta në një mëngjes të ftohtë.
“Ky është vetëm një projekt i huaj për të krijuar një imazh të keq për burka-n dhe Afganistanin. Ata po mundohen të na bëjnë të ndihen keq ato prej nesh që mbulojmë fytyrat tona.”
Një grua e vjetër, që kishte veshur një burka, ishte më pak e fyer.
“Burri dhe djali im më thonë se duhet ta heq burkën time,” tha Gul Bibi.
“Por unë jam mësuar me të. Unë e kam veshur që prej 35 vitesh.”
Marrë nga: telegraph.co.uk