Mëmësi në akull: Gratë përballen me mëdyshjen mbi ngrirjen e vezëve
“Nuk pata menduar kurrë se do të bëhem 35 vjeç pa pasur ende familje. Unë i kam bërë të gjitha sipas rregullave – shkollën, universitetin, punën…. Por mëmësia është e vetmja gjë në listën time të gjërave që duhet të bëj në jetë për të cilën kam frikë se nuk do ta realizoj,” thotë Ivana, një juriste nga Beogradi.
Prindërit e saj kanë ndaluar tashmë prej kohësh të bëjnë pyetjen e lodhshme: “Çfarë po pret më?” Ajo beson se ata kanë hequr dorë nga ideja e të qënit gjyshër. Ivana kërkoi që mbiemri i saj të mos përdoret në këtë artikull, pasi ndjen se ajo i ka zhgënjyer prindërit e saj. Në moshën e saj, nëna e saj sakaq pati bërë dy fëmijë – Ivana, që në atë kohë qe shtatë vjeç dhe vëllai i saj, i cili qe pesë vjeç.
“Unë jam ende beqare, pa fëmijë dhe nuk mendoj se do të më ndryshojë statusi tani shpejt,” thotë Ivana ndërsa pi kafe në një kafene në qendër të qytetit. Ajo rikujton një artikull që e ka lexuar në gazetën Politika dhjetorin e kaluar. Artikulli raportonte se pothuajse gjysma e grave nën 30 vjeç në Beograd sot nuk ka fëmijë.
“Nuk jam e sigurtë nëse ndjehem më mirë tani kur mendoj se kaq shumë prej nesh nuk kanë fëmijë, apo duhet të filloj të shqetësohem seriozisht,” më thotë ajo. “Po, kam filluar të shqetësohem.”
Ivana thotë se shumë nga shoqet dhe koleget e saj janë në një situatë të ngjashme, me frikën se – për shkak se rriten në moshë dhe fertiliteti i tyre ulet – të bërit nënë do të bëhet e pamundur. Dy shoqe të martuara të saj kanë bërë fëmijë me ndihmën e fertilizimit in vitro, IVF.
Por a ka një mënyrë për t’ia hedhur natyrës dhe të ngadalësosh orën biologjike? Nga fundi i vitit të kaluar, dy kompani të mëdha amerikane filluan t’i japin punonjëseve të tyre një mundësi për të bërë pikërisht këtë.
Gjigandët e teknologjisë Apple dhe Facebook goditën titujt e parë të medias nëpër botë duke ofruar mbulimin e kostos për ngrirjen e qelizave të vezëve të punonjëseve të tyre, potencialisht duke i mundësuar atyre të përqendroheshin te karriera pa pasur frikë se do të humbisnin mundësinë të bëheshin nëna më vonë.
Drejtorët mjekësorë të njërës prej klinikave më të mëdha të fertilitetit në Europë tha se ngrirja e vezëve përfaqëson një epokë të re për emancipimin e grave pas asaj të pilulës kontraceptive dhe se mund të jetë një dhuratë ideale për ditëlindjen e tridhjetë.
Por kritikët kanë akuzuar klinikat se po shfrytëzojnë frikën e grave për të humbur mundësinë e të bërit nënë në mënyrë që t’i detyrojnë të shpenzojnë shumë para mbi një procedurë, norma e suksesit të së cilës është ende shumë e paqartë.
Pra le të kthehemi te realiteti i Ballkanit. Sa realiste, apo e arsyeshme, është për gratë në Serbi dhe Kroaci të ngrijnë vezët e tyre?
Ta lësh për më vonë
Në teori, çdo gjë që i ndihmon gratë të konceptojnë kur janë më të moshuara është shumë joshëse. Si në shumë vende të tjera, gratë në Serbi dhe Kroaci po presin më gjatë para se të bëjnë fëmijë, sipas statistikave zyrtare.
Më 2013, mosha mesatare e nënave në lindjen e parë në Serbi qe 26.4 vjeç. Njëzet vjet më parë qe 24.3. Në Kroaci, mosha mesatare e nënave në lindjen e parë më 2013 qe 28 vjeç – tri vjet më shumë se sa në vitin 1995.
Arsyet se pse gratë janë duke u bërë nëna gjithnjë e më vonë janë të shumta dhe të ndryshme. Disa gra dëshirojnë të kenë karierë. Të tjera kanë frikë se humbasin vendet e punës nëse mbeten shtatzënë. Disa ngurrojnë për shkak se dyshojnë nëse mund të sigurojnë të ardhme të shëndoshë financiare për fëmijët e tyre. Të tjera mund të mos kenë gjetur ende bashkëshort.
Por veçanërisht në Ballkan, gratë ndjejnë presion të fortë shoqëror që të bëhen nëna – dhe ato që nuk kanë pasur fëmijë shpesh gjykohen ashpër. Në artikullin e Politika mbi gratë mbi 30 vjeç pa fëmijë, gazetari i përshkroi arsyet e të mos pasurit një familje si “hedonistike”, duke shkaktuar zemërim tek disa lexues.
“Gratë nuk janë makina që prodhojnë fëmijë. Unë mund të bëj çfarë të dua me trupin tim,” shkroi një lexuese që komentoi mbi lajmin.
“Pra unë duhet të ndërpres studimet dhe të rrëmbej të parim që më del përpara në mënyrë që ne të mund të shumohemi si lepuj? Bukur, faleminderit që më the të vërtetën – dukshëm unë nuk kam asnjë vlerë për sa kohë nuk e mbaj gojën mbyllur dhe bëj fëmijë,” shkroi një tjetër.
Smiljka Tomanovic, një profesore sociologjie në Universitetin e Beogradit, thotë se ka një besim tradicional në Serbi se gruaja plotësohet vetëm pasi bëhet nënë.
“Ti nuk do të dëgjosh kurrë askënd të thojë se një burrë është plotësuar për shkak të rolit të tij si baba apo jo?” vëren Tomanovic.
Gjithsesi, presioni me të cilin përballen gratë nuk është vetëm shoqëror. Është gjithashtu edhe tik-taku i orës biologjike. Ekspertët paralajmërojnë se fertiliteti i grave fillon të bjerë ngadalë nga mosha 25 deri më 35 dhe më pas bie edhe më shpejt, duke e bërë të vështirë për shumicën e grave që të konceptojnë pasi mbushin moshën 40 vjeç. Kjo ecën dorë për dore me faktin se, kur një grua është më në moshë, rreziku për shtatëzani të pasuksesshme apo abort të padëshiruar rritet.
Praktika ballkanike
Në Serbi dhe Kroaci, opsionet për gratë që dëshirojnë të ngrijnë vezët e tyre janë jashtëzakonisht të kufizuara.
Ligji serb nuk e ndalon në mënyrë eksplicite ngrirjen e vezëve për arsye sociale, por praktika është shumë e rrallë për klinikat vendase. Ajo ofrohet në vetëm një klinikë private në Spitalin e Specializuar Gjinekologjik Jevremova në Beograd. Kostoja e ngrirjes së vezëve është rreth 500 euro, megjithëse ky çmim nuk përfshin kostot e tjera të tilla si procedurat përgatitore, testet mjekësore dhe ilaçet.
“Tani për tani, kjo metodë është ende e re dhe jo shumë e njohur për popullatën e gjerë,” thotë Ana Crnobaric-Obradovic, menaxherja e përgjithshme e klinikës. “Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme të mbështetet çdo grua që vendos ta bëjë dhe për ta informuar atë mbi çdo avantazh dhe disavantazh që krijohet nga shtatëzanitë e vona”.
Para së gjithash, thotë ajo, gratë duhet të kuptojnë se koha më e mirë për ngrirjen e vezëve të tyre është mes moshës 25 dhe 35 vjeç për shkak se kjo është koha kur qelizat e tyre janë të cilësisë më të lartë.
“Gratë zakonisht vijnë te ne vonë, rreth të 40-ave, kur rezervat e tyre të vezëve ose janë në nivele të ulëta ose janë me cilësi të dobët ”
– Marijana Culibrk, Qendra e Fertilitetit Pragë
Turizmi i fertilitetit
Praga, kryeqyteti piktoresk i Republikës së Çekisë, është një destinacion tërheqës jo vetëm për pushime, por edhe për njerëzit që po kërkojnë ndihmë për të pasur fëmijë. Një mikeshë e Ivanës, avokates së Beogradit, shkoi atje dy vjet më parë për IVF dhe tashmë ka një vajzë.
Praga është bërë qendër për këtë degë të turizmit mjekësor; ka klinika me reputacion të mirë dhe kuadër ligjor shumë liberal. Një tërheqje e veçantë është IVF me përdorimin e qelizave të vezëve të dhuruara nga gra më të reja. Kjo procedurë mund të kryhet me gratë deri në moshën 49 vjeç, sipas ligjit çek. Ligji garanton gjithashtu që dhuruesit e vezëve dhe të spermës janë anonimë, ndryshe nga shumë vende të tjera Europiane, përfshirë Kroacinë.
Qendra e Fertilitetit në Pragë, një nga klinikat kryesore në këtë fushë, gjendet rreth 15 minuta larg qendrës së qytetit me autobuz ose me tram. Zona e pritjes është e qetë por përplot me njerëz, shumica çifte. Disa mbajnë dorën e njëri-tjetrit dhe ka një ndjesi shprese në ajër.
Për habinë time, shumë nga stafi i klinikës flet serbisht. “Gjysma e klientëve tanë janë nga Ballkani,” më thotë Marijana Culibrk, një koordinatore në qendër. Të tjerët janë nga Gjermania, Britania dhe Franca.
Shumë njerëz vijnë për IVF me përdorim qelizash të dhuruara, të cilat kanë një normë më të lartë suksesi për shkak se vezët e dhuruara vijnë nga gra të reja, shëndeti i të cilave është kontrolluar me kujdes.
“Një procedurë IVF me qeliza të dhuruara ka probabilitet suksesi prej 60-65 për qind. Përndryshe, norma e suksesit bie në 45 për qind,” shpjegon Culibrk duke folur rrjedhshëm serbisht.
Por, thotë Culibrk, jo shumë gra zgjedhin të ngrijnë vezët e tyre.
“Afërsisht kemi më pak se njëqind gra,” thotë ajo. “Gratë zakonisht vijnë te ne vonë, rreth moshës 40 vjeç, kur rezervat e tyre të vezëve ose janë të ulëta ose me cilësi të ulët.”
“Ne kemi ngrirë qelizat e vezëve të tyre, por nuk kemi ende raste të lindjes me to,” thotë Mardesic, doktor në klinikën Pronatal cili gjithashtu flet rrjedhshëm serbisht.
Mardesic vëren se kur një çift po has vështirësi për të konceptuar, mund të mos jetë thjesht problem i gruas. Ka prova gjithnjë e më të shumta se edhe fertiliteti i meshkujve është në rënie gjithashtu.
Por për gratë, disa gjëra duken qartë. Ato duhet të jenë të ndërgjegjshme se sa shpejt bie fertiliteti i tyre, veçanërisht pas moshës 35 vjeç, kështu që ato duhet të marrin vendimet e duhura në kohën e duhur – nëse duan apo dëshirojnë të përpiqen të mbeten shtatzënë apo të ngrijnë vezët e tyre.
“Do të jepja gjithçka nëse dikush do të më kishte thënë ‘ngriji vezët’ kur unë isha 32 apo 33 vjeç,” thotë Maja, një eksperte marketingu 44 vjeçare nga Beogradi, e cila i është nënshtruar gjashtë raundeve të pasuksesshme të IVF.
“E di se kjo është e pakuptimtë pas moshës 38 vjeç,” thotë Maja. “Por në kohën e duhur do të kisha paguar çfarëdo që nevojitej, me çdo kusht.”/A.A.