Me leje, zyshë? (Replikë)
Shkruar nga: Fatma Haxhialiu
Meqë dje kam parë të vërdalliset e të kalojë mur më mur në Facebook një shkrim që kur e pashë fillimisht nuk e hapa sepse nuk më pëlqeu që në titull, vendosa ta lexoja… dhe në fakt nuk u gabova që e kisha paragjykuar. Shkrimin e gjeni këtu: mapo.al
Një shkrim gjykues i mbushur me stereotipe dhe ç’është më e keqja është shkruar nga një pedagoge. Kur e lexova nuk e di çfarë më bëri më shumë përshtypje, fakti që zysha i shikon kështu ata që ka përballë në një auditor apo fakti se kjo klasë është vërtet e tejmbushur me plastika, ashtu siç vetë ajo i përshkruan.
Të them të drejtën, unë më shumë se ti zyshë jam mes dy botëve paralele: asaj të plastikës meqë profesioni im është i tillë e më duhet të merrem shpesh me njerëz pa përmbajtje, të përqendruar te pamja e tyre dhe jetës time të çdo dite, që nuk reflektohej gjëkundi në shkrimin tuaj. Ju flisni për vajza materialiste që kanë bërë shumë ndërhyrje, duke i quajtur ato “viç dhe pata”, por nuk shkruani asnjë rresht se pse kjo zgjedhje. Ju harroni që detyra juaj si përcjellëse e dijes është t’i shkoni pak më thellë problemit apo fenomenit e jo të ngecni nëpër rreshta, si çdo mendje e vogël, që bën një status përçmues në Facebook.
Përveç kësaj, ju flisni në shkrim për një pjesë shumë të vogël të shoqërisë. Ashtu siç edhe e kemi bërë refren tashmë, zyshë e dashur, Shqipëria dhe vajzat shqiptare nuk janë vetëm ato të Bllokut, aq më pak ato të auditorit tuaj. Unë, në jetën time, larg megalomanisë dhe cinizmit të ambientit të showbiz-it, të them të drejtën nuk kam asnjë shoqe si viç apo si patë. Puna më lidh me shumë njerëz dhe në fakt këto vajza që takoj janë pikërisht në kërkim të djalit punëtor, që ju thoni se nuk e do njeri. Këto vajza kalojnë net pa gjumë mbi libra dhe me frikë thonë se pasi të kenë mbaruar shkollën nuk dinë ku të shkojnë; këto vajza bëjnë edhe dy punë ndërkohë që studiojnë. Baret e Tiranës, zyshë, janë të mbushura plot me të rinj e të reja që kohën e tyre të lirë e kalojnë duke fituar diçka… çudi që nuk ju ka rënë në sy. Në shkrim nuk përmendni as ato vajza që preferojnë të mos kenë një mashkull në krah e t’ia dalin të vetme, duke luftuar 100 paragjykime, sepse më mirë vetëm sesa me një mashkull zemani, si ata që ju kërkoni të na i riktheni… dhe ankoheni se nuk i shikoni gjëkundi: fjalëpakët, leshatorët e seriozët.
Dhe meqë jemi këtu, ndalojmë pak. Unë jam një nënë e re dhe në fakt me tim bir po mundohem të mos bëj gabimet e paraardhësve të mi, edhe pse e vështirë në një vend patriarkal si ky i yni.
Unë nuk e vesh djalin me ngjyra “për çuna” dhe as nuk e detyroj të luajë me lodra “për çuna”; unë nuk dua të rris një vajzë apo një djalë, zyshë, dua të rris një NJERI të lumtur, të lirë dhe që nuk i vë mendjes fre. Ndaj u irritova dhe m’u duk konstatim banal dhe infantil fjalia “nuk dallohen meshkujt nga femrat”, sepse tani djemtë veshin rroba me lule dhe pantallona treçerekëshe!
Ju pastaj vini gishtin nga unë, nga vetja, nga të gjitha vajzat e gratë duke na quajtur thashethemexhie, kur shpreheni se “burrat janë bërë si gratë, merren me llafe dhe bëjnë analiza”. Më vjen keq t’ju zhgënjej, por burrat nuk janë bërë si gratë, burrat kështu kanë qenë, thjesht dikur thashethemet i bënin në odën e tyre dhe analizat, po ashtu, larg syve e veshëve të grave, që e kishin të ndaluar të hynin aty. Po ju sjell një shembull banal si ai i diskutimit të burrave për Marigonë në “14 vjeç dhëndër”.
Për gratë, mendësia se merren me thashetheme vjen për shkak të shtypjes së tyre të kahershme, kur ato, të detyruara nga kushtet sociale-ekonomike dhe nga një shoqëri maskiliste që i shfrytëzonte në pozicione punësh të rëndomta si shërbyese, pastruese, punëtore në fabrika etj. dhe të privuara nga çfarëdolloj informacioni, për shkak të mungesës së shkollës dhe sepse “nuk ishin punë grash”, informacionet i zbardhnin vetë duke ia kaluar njëra-tjetrës. “Dëgjova se im zot do të bëjë këtë dhe atë. Se filani do të takohet me X. etj.”… kjo nuk është të merresh me thashetheme zyshë, është dëshirë për të qenë e përfshirë!
Sa për burrat, më erdhi për të qeshur kur lexova se dikur ishin të vërtetë se kishin lesh e nuk përgojonin gratë. Ju harroni shembujt klasikë kur burrat ndryshuan rrjedhën e historisë për gratë, ju harroni ç’bënë burrat për Kleopatrën, për Helenën apo trillet e mitet e dashnorëve të Marilyn Monroe-s.
Ja pra që burrat kështu kanë qenë gjithmonë, vetëm se dikur i bënin larg syve e veshëve tanë, ndërsa sot që mund të rrimë në të njëjtën dhomë e tavolinë i marrim vesh edhe ne diskutimet “burrnore” .
Thashethemi dhe ligësia nuk kanë gjini, dashakeqësia po ashtu nuk vjen me gjininë, por është pjesë e karakterit… të paktën kaq gjë edhe mund t’ua mësoni atyre që keni përballë.
Ju flisni në shkrim për njerëz të cekët e sipërfaqësorë, që nuk dinë të artikulojnë dhe nuk meritojnë respektin e shoqërisë. Pra, ju keni pranuar që ju personalisht, si përçuese e dijes, keni dështuar dhe pas jush edhe universiteti ku jepni mësim dhe i gjithë sistemi arsimor në këtë vend.
Po, e dashur zyshë, është e vërtetë që ka të rinj sipërfaqësorë, sepse kanë hequr dorë nga ëndrrat, sa kohë ju që ankoheni e bërtisni me të madhe e pajisni me diploma “viçat e patat” që, siç e pranoni, nuk dinë të lidhin dy fjalë. Dhe madje, madje, për të shkuar më thellë, shumë prej tyre i keni edhe imazhe të universitetit…
Ironike, në fakt, ta mendosh që flisni me kaq mllef kundër plastikës që na ka gllabëruar dhe për asnjë sekondë nuk e vini gishtin nga vetja, sepse nëse shpirti i kësaj rinie është plastifikuar fajin e keni ju dhe gjithë kolegët tuaj. Me pak fjalë keni dështuar ju dhe gjithë çfarë përfaqësoni!
Shkolla ndërton shpirtin e bukur, skalit estetikën, rrit ndërgjegjësimin për veten, të bën të pavarur…shkollimi, dija, nxënia, nuk të çojnë drejt plastifikimit, as arsyetimeve të cekëta dhe sipërfaqësore.
E nëse shkolla nuk i plotëson këto kritere, atëherë nuk është institucion dijesh, por institucion plastike jashtë dhe brenda, po aq vulgar dhe fals sa buzët, cicat e mollëzat që ju përmendni në shkrim!/A.A.