McGowan thotë se Weinstein nuk do të ndiqet penalisht për asnjë nga krimet për të cilat akuzohet
Rose McGowan thotë se Harvey Weinstein nuk do të kryejë kurrë burg për sulmet seksuale dhe përdhunimin e dhjetëra grave.
“Nuk mendoj se Harvey Weinstein do të ndiqet ndonjëherë penalisht për ndonjë përdhunim”, tha aktorja dhe regjizorja gjatë një interviste të “Good Morning Britain” të mërkurën.
McGowan ishte një nga gratë e para që akuzoi publikisht Weinstein për përdhunim vjeshtën e kaluar, e cila më pas nxiti lëvizjen Me Too. Më shumë se 80 gra, përfshirë aktoret Ashley Judd dhe Cara Delevingne, kanë akuzuar Weinstein për ngacmim seksual, sulm seksual ose përdhunim.
Weinstein aktualisht është nën hetim për 10 raste të dyshuara sulmesh seksuale: pesë në Los Angeles dhe pesë në New York City.
“Është një lehtësim, kur ka njerëz që të besojnë, por për mua kanë shpifur dhe më kanë keqtrajtuar për asnjë arsye tjetër, vetëm për faktin që ai ka blerë shtypin në mbarë botën për të vepruar kështu për 20 vjet”, tha McGowan, duke vazhduar me përshkrimin se si Weinstein punësonte detektivë për të ndjekur çdo lëvizje të saj.
Nga çdo 1,000 përdhunime në SHBA, vetëm gjashtë sulmues dënohen me burg, sipas Rrjetit Kombëtar të Përdhunimit, Abuzimit dhe Incestit. Hulumtimet tregojnë se autorët e dhunës seksuale kanë më pak gjasa të burgosen se çdo kriminel tjetër.
Kur mikpritësi Piers Morgan e pyeti McGowan nëse do të ishte më e lehtë për gratë që këto ankesa ti çonin në gjykatë dhe të ndihmonin lëvizjen Me Too të ketë sukses, McGowan u përgjigj me ngulm:
“Duhet të kuptoni se sistemi gjyqësor është plotësisht i kthyer kundër viktimave në çdo mënyrë dhe formë, pasi shumica e njerëzve nuk mund të kërkojnë drejtësi në këtë mënyrë”, tha ajo. “Unë mendoj se duhet të ketë oficerë të posaçëm dhe gjyqtarë të trajnuar në mënyrë specifike për sulme seksuale, të trajnuar në mënyrë specifike mbi ngacmimet dhe abuzimet seksuale dhe gjëra të tilla në mënyrë që ata të mund të kuptojnë më mirë”./A.A.