Një projektligj që ka ngjallur debate të shumta dhe kundërshtime nga organizatat e grave dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, pritet të kalojë për shqyrtim në parlamentin turk në fund të janarit.
Projektligji i quajtur “martohu me përdhunuesin”, u fal përdhunimin burrave, edhe në rastet kur viktima ka qenë nën 18 vjeç, nëse ata martohen me viktimën.
Pjesë e ligjeve që synojnë “mbrojtjen e familjes”, projektligji u përpoq të miratohej dhe në vitin 2016, kur u kundërshtua fort nga opozita në vend dhe nga ndërkombëtarët.
Ligje të tilla janë praktikë në vendet e lindjes së mesme, ku ligjërohen traditat e prapambetura të martesave me premtim, të vajzave që në moshë të vogël.
Opozita parlamentare dhe organizatat e të drejtave të grave kundërshtuan fort propozimin, duke lajmëruar protesta deri në rrëzimin e tij.
Kombet e Bashkuara paralajmëruan se miratimi i ligjit, do të sillte rritje të padrejtësisë dhe pandëshkueshmërisë së krimeve të bëra ndaj vajzave dhe të miturve në përgjithësi.
Vitet e fundit, Turqia është parë të regresojë ndjeshëm në çështjet e të drejtave të njeriut dhe ky projektligj rëndon më shumë situatën e aktivizmit për mbrojtjen e këtyre të drejtave, ku shumë gazetarë e aktivistë po përballen me persekutim e përndjekje, në disa raste dhe me burgosje.