Marshim në Kosovë për viktimat e dhunës seksuale

Ditën e djeshme nën moton “Më trajto dinjitetshëm”, organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale, marshuan në Prishtinë në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës.
Marshimi në mbështetje të grave të dhunuara është mbajtur edhe si protestë dhe mospajtim me publikimin e një fotografie me pamje të rënda grafike nga ana e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, raporton Radio Evropa e Lire.
Fillimisht, deputetja Brovina pretendonte se me këtë fotografi po paraqiste dëshmi të dhunës seksuale ndaj një gruaje 35 vjeç nga Kosova nga ana e disa ushtarëve të Ushtrisë së Serbisë gjatë luftës së fundit, por më vonë doli të jetë një fotografi e falsifikuar, e cila me gjasë, ishte marrë nga një faqe interneti me përmbajtje pornografike.
Publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina ka shkaktuar dëm shumë të madh ndaj shoqërisë kosovare dhe punës së deritashme me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, deklarojnë aktivistët dhe protestuesit, dhe për këtë, sipas tyre, përgjegjësinë duhet të bartë Kuvendi i Kosovës.
Reagime pati dhe nga rradhët e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, të cilët e konsideruan tërësisht jo-etik veprimin e deputetes Brovina, e cila është e njohur për angazhimin e saj në mbrojtje të viktimave të luftës. Reagime të ashpra pati po ashtu dhe në rrjete sociale, të cilat detyruan deputeten të kërkojë falje publikisht, duke deklaruar se foto ishte e falsifikuar dhe se ajo nuk ishte në dijeni për këtë fakt.
Muajt e fundit, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë qenë në vëmendje të opinionit publik, pas rrëfimit të Vasfije Krasniqit e cila përloti Kongresin e SHBA-ve me rrëfimin e saj dhe risolli vëmendjen te trajtimi i viktimave dhe mungesa e mbështetjes shoqërore e shtetërore për mijëra gra dhe vajza që kanë vuajtur të tilla krime gjatë luftës së Kosovës. /k.j