LIRINDJA #3: GIRLS JUST WANNA HAVE FUN-DAMENTAL RIGHTS
Lirindja është kthyer përsëri. Promovimi i zinës së pavarur është bërë me 29 prill në kafe librarinë Dit’e Nat’. Numri i tretë i Lirindjes edhe një herë ka bashkuar kontribues të shumtë, të cilët kanë vënë në qendër sfidat e grave duke jetuar në këtë shoqëri, nga pabarazia gjinore e deri te seksizmat e ndryshme, me të cilat gratë përballen gati çdo ditë.
Përmes ilustrimeve, poezive, tregimeve, analizave të veprave të artit, fragmenteve dhe përkthimeve, kontribues të ndryshëm, në mënyrën e vet, elaborojnë mbi konstruktet sociale të dallimeve gjinore. Ata vënë në pah pritshmëritë e shoqërisë sonë për rolin, sjelljen që duhet ta ketë gruaja në trupin e definuar prej gjinisë, si dhe konceptet mbi feminizmin dhe teoritë queer.
KOSOVO 2.0 ka kontaktuar Rina Krasniqin dhe Lura Limanin, bashkëthemelueset e Lirindjes për të folur më shumë për edicionin e ri të zinës.
KOSOVO 2.0: Lexuesit e Lirindjes kanë pritur gati dy vite për edicionin e ri? Pse kaq gjatë?
Rina Krasniqi & Lura Limani: E vërtetë është që Lirindja ka munguar për 1 vit e gjysmë, por nuk do të thotë se kemi pauzu apo stopu punën në të. Për numrin e fundit te Lirindjes “Girls just wanna have fun-damental rights”, që u botua të mërkurën me 29 prill në kafe librarinë Dit’e ‘Nat’ kemi punuar për një vit. Duket ndoshta shumë kohë për një botim aq të vogël siç është Lirindja, por kemi provuar ta kurojmë atë, dhe ta fusim në formatin më të mirë të mundshëm. Tjetër arsye për kohën aq të gjatë është edhe sfida e përhershme – ajo e gjetjes dhe rekrutimit te kontribuesve dhe shkrimtarëve.
K2.0: Ndasitë gjinore dhe diskriminimi i gruas në shoqëri patriarkale, si ajo e jona, janë ne qendër të numrit të tretë të Lirindjes. Pse e keni ndjerë të domosdoshme të fokusoheni në këto çështje?
RK/LL: Çeshtjet në lidhje me barazinë gjinore, diskriminimin e gruas, dhe çështjeve të tjera që kanë lidhje me gjininë janë njëfarë mënyre gjithmonë aktuale, sidomos në një shoqëri patriarkale siç fatkeqësisht është shoqëria kosovare. Ne kemi menduar që është ide e mire t’i kushtojmë një numër të tërë këtyre çështjeve dhe t’i bindim kontribuesit tanë që të elaborojnë mbi këto tema, secili në mënyrën dhe formën e tyre.
K2.0: A mund të elaboroni ilustrimet në kopertinën e zinës?
RK/LL: Tadi, ilustratorja e këtij numri është një artiste shumë e talentuar, puna e së cilës funksionon edhe krahaz, po edhe pavarësisht prej shkrimeve në zinë. S’kishim dashtë që me i reduktu kuptimet e shumta të vizatimeve të saja duke i marrë tekstualisht, ose hëpërhë. Ilustrimet në fund të ditës janë komente edhe cinike, por edhe ‘playful’ndaj formave se si çikat paramendohen, vizatohen, reprezentohen. Ballina është një vajzë në veshje brendshme, tu i ly thojtë e këmbëve- ndoshta një prej përjetimeve ma t’zakonshme t’një çike. Po megjithatë ka diçka t’fuqishme në këtë pamje – çika e kopertinës është moskokëçarëse. Në një farë mënyre krejt vizatimet e Tadit e sjellin një lloj çlirimi: çikat e saja të ilustrume i rrujnë flokët, veshin brekë me zemra, janë t’forta, po janë edhe feminine, përmbajnë shumë kontradikta në vete – pra me fjalë tjera, janë plotësisht njerëzore.
K2.0: Në një ilustrum te zinës, është mbishkrimi “Death to Patriarchy” në fanellë të një vajze. A shënon kjo një thirje për ngritje të vetëdijes edhe ne mes grave, të cilat shpesh duken të jenë statike në pozitën “nënshtruese”. Sipas një studimi të fundit nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës dhe UNICEF gati gjysma e grave në Kosovë ende janë të gatshme të justifikojnë dhunën e meshkujve ndaj tyre.
RK/LL: Defenitivisht. Shprehja “Death to Patriarchy” është një term i përdorur anëmbanë botës nga shoqata apo lëvizje të ndryshme për të drejtat e njeriut, apo respektivisht të shoqatave feministe, që luftojnë për barazi gjinore. Ky term nuk është i menduar vetëm për burrat, natyrisht se në krijimin e një shoqërie fundamentalisht patriarkale kanë një rol specifik edhe gratë, shpesh si gardiane të sistemit, që i shtypë ato. Në të njëjtën kohë edhe burrat policohen, kontrollohen dhe formësohen nga sistemi patriarkal. Mendojmë që është një term apo sllogan shumë i mire, i një kauzeje edhe më të mirë.
K2.0: Një tekst i Lirindjes, i shkruar nga Rina, i dedikohet Elona Kastratit, e cila me aksionin e vet përmes mesazheve në pecetat higjenike ka marrë shumë vëmendje duke gjetur një përkrahje jashtzakonisht të madhe anembanë botes, dhe me një mbulim shumë pozitiv nga medie të ndryshme ndërkombëtare. Nëse aksioni do të kishte ndodhur në Kosovë, mendoni që do ta kishte marrë vëmendjen e njëjtë nga shoqëria dhe media?
RK/LL: Po! Mendojmë që aksioni si i tillë ka qenë shumë i drejtëpërdrejtë, in your face, sa që mendojmë që çdo kund e kish marrë të njëjten vëmendje. Madje ketu në Kosovë ndoshta edhe më tepër, mbasi që në shoqërinë Kosovare pecetat apo vet cikli menstrual përceptohet apo shihet disi me një hije të marres. Në dyqan përshembull, kur blen pecetë, është praktikë shumë e shpeshtë e shitësit apo shitëses t’i paketojnë Always apo brendet tjera të pecateve që ke blerë, apo ti fusin në një qese që nuk është transparente, që të mos shihet se çfarë ka brenda.
K2.0: Çka nenkuptojnë feminizmi dhe teoritë queer per ju dhe shoqërinë ku jetojmë?
RK/LL: Kemi përshtypjen se në shoqerinë tonë feminizmi është plotësisht i keqkuptum. Kjo mund të jetë sepse ne s’edukohemi për historinë e lëvizjeve feministe dhe ndryshimet dhe progresin në barazi gjinore kryesisht shtyhen me ligje se sa me lëvizje “grassroots”. Feminizmi shihet si diçka agresiv, po edhe i huj, por shqiptarët kanë pasë grupe e lëvizje feministe për t’drejta t’grave qysh në fillim të shek. 20. Shembull konkret është Lidhja e Gruas, e themeluar në vitin 1920 në Gjirokastër nga Urani Rumbo dhe të tjera.
Për neve, feminizmi është i domosdoshëm dhe imediat; është i paikshëm. Të jesh grua (por edhe lezbike, gej, queer) dhe t’mos jesh feminist, apo njeri që beson në barazinë e gjinive, është paradoksale. Ne i gëzojmë mjaft të drejta për shkak të luftës së feministeve para neve, dhe nuk i gëzojmë edhe shumë t’drejta për shkak se mënyra se si shumica e shoqërive në botë janë të organizuara, nuk mund të ndërrohet rranjësisht menjëherë, por merr kohë.
Lëvizja queer dhe teorite queer janë “vazhdimësi” e lëvizjeve feministe dhe punës që ka bërë feminizmi. Edhe përbrenda feminizmit ka rryma, ideologji, opinione të shumta që janë kontradiktore dhe problematike. Queerness është kritikë e matutjeshme e mënyres se si shoqnitë tona janë jo vetëm patriarkale, po edhe heteronormative, të racializuara, dhe të ndara në klasa, duke i futë me zorr’ njerëzit nëpër shabllone të kategorive qofshin gjinore, racore, etj. T’qenit queer është t’i rezistosh të gjitha këtyne etiketimeve dhe t’i nënshtrosh këto etiketime nën një kritikë të ashpër dhe të thellë.
K2.0: A jeni të kënaqur me popullaritetin e zinës? A jeni të kënaqura me numrin e lexuesve, dhe sa mbështetje keni marrë prej tyre?
RK/LL: Po! Zina ka fillu si iniciativë e një grupi shumë të vogël të njerëzve dhe është rritë prej numrit në numër, – kështu natyrshëm është rritë edhe numri i lexuesve. Pasi qe zina Lirindja shtypet në një sasi të vogël prej 100 kopjesh, nuk është e mendume të jetë shumë e popullarizuar apo të kap një audiencë shumë të madhe dhe nuk është ambicie e saj të jetë e tillë. Por s’mundemi me mohu që është ndjenjë e mirë, kur herë pas here dëgjojmë që dikush që ne fare nuk e njohim ka shfaqë interesim për zinën, apo i ka pëlqy a jo, apo kur marrim ndonjë mesazh në faqen tonë zyrtare në Facebook, ku i kemi mbledhë ngat 900 likes, duke pyet se në cilën librari apo vend mund ta gjejnë Lirindjen apo si mund të kontribojnë në të.
Marrë nga: kosovotwopointzero.com