Letër së ardhmes – për ty bija ime…
E shtrenjta ime,
Jam rritur me idenë se do të të kem një ditë në krah, do të më ngjasosh sado pak, ndonëse pamja nuk është e rëndësishme, shpresoj të trashëgosh forcën dhe dyfishin e guximit tim…
Në botën që jam rritur unë, asnjëherë s’më janë thënë gjërat ashtu siç janë, por ashtu siç duhej të ishin. Më kanë bërë ta dua imagjinatën, të ndërtoj perandori ëndrrash pasi që nuk mu heqej barra prej supeve.
Duke jetuar me ëndrra, në shumicën e kohës zhgënjehesha, e më së shumti nga njerëzit që doja. Mami im asnjëherë s’më rriti me mendimin se unë duhej ta njihja gënjeshtrën nga afër, ajo më mbajti larg kësaj, andaj unë edhe sot vazhdoj të besoj në gënjeshtra.
Por, të premtoj që do të jem mësuesja yte e jetës, pikërisht personi që do të të bëjë të njihesh me pusetat dhe fundërrinat e shoqërisë. Sigurisht, kur ti sot ta lexosh këtë letër, une do të jem më krenare se kurrë më parë që po rris verzionin tënd më të mirë, do të bëj vajzën me realitetin më të bukur…
E dashur, bota është mizore në qoftë se nuk shtyen vetë gjoksin dhe të ecesh përpara…
Lexo shumë, eksploroje botën, kërce, këndo dhe falë dashuri me gjithë shpirtin tënd.
Bijë, mos harro që djemtë dhe burrat s’janë asnjëherë më të mirë se ty, ti ke gjithçka, përfshirë edhe dashurinë time për t’i bërë ballë jetës. Mundësitë janë të tuat, unë do t’i respektoj të gjitha zgjedhjet e t’ua.
Seksi dhe dashuria kanë mjaft dallim, janë dy teori krejt të ndryshme që mami im kurrë nuk mi mësoi, madje më rriti me idenë se të tilla gjëra duhet t’ia dedikosh vetëm një personi në gjithë jetën. Dhe kjo padyshim që është një arsye pse mua më është thyer zemra disa herë nga i njëjti person. Siç po e sheh, dashuriçkat do të jenë kalimtare dhe të zëvëndësueshme deri në ditën që ti do të vendosësh për partnerin/partneren e jetës.
Miqësia është e shenjt’, lutu për ta dhe nderoji, por ta dish, vlerat e tyre të vërteta do t’i njohësh në ditët e t’ua me shi.
Mos duro, jo askënd! Mos mbajë brenda inate, xhelozi dhe ndjenja që të bëjnë të urresh veten, ti ke lindur për gjëra të mëdha, ti je fryt i një dashurie që unë ende se kam njohur, por sigurisht që ai është burri ideal pasi që më ka ndihmuar të krijoj diçka të magjishme si ty.
Mos harro të qeshësh edhe kur përballesh me lotët, mos u arsyeto para asnjeriu, vetëm para gabimit. Gjejë kurajo për të qenë gjithmonë vetja, të mirat tjera do të të gjejnë ty. Lufto për të drejtën tënde, lufto për gjërat që të bëjnë person të mirë, luftëra të tilla gjithmonë fitohen. Zhgënjimin e kemi mik, por jo fat, gjithçka është në dorën tënde…
Me dashurinë më të pastër dhe më të sinqert, të deshiroj atë që ty të do zemra!
(Paramendoni, sikur të mos më ndodhë një gjë e tillë asnjëherë, s’paku e di si do t’i flisja nga zemra:). Krejt rastësisht shkruar në mbrëmjen e vonë të festës ndërkombëtare të familjes).
Jeta Berisha,
16.05.2016,
Prishtinë