Letër e Hapur: Organizatat për të drejtat e grave mbështesin depenalizimin e prostitucionit
Trafikimi dhe shfrytëzimi i personave për përfitim e ka prekur shoqërinë shqiptare për vite me rradhë dhe vazhdon të jetë plagë e hapur. Por shqetësimi nuk përfundon këtu, cfarë ndodh me trajtimin, këshillimin dhe ri – integrimin e personave në shoqëri kërkon vëmendje parësore. Një hap pozitiv llogaritet edhe kërkesa e Gjykatës së Lartë për shfyqizimin e nenit 113 për Prostitucionin në Kodin Penal.
Gjykata ka thënë gjithashtu se dënimi i një gruaje të shfrytëzuar për prostitucion nuk mund të jetë i njëjtë me atë të përfituesit, si dhe të shpallet antikushtetues etiketimi i gruas së shfrytëzuar me termin “prostitutë”.
Nisma për depenalizimin e ushtrimit të prostitucionit, është mbështetur përmes një letre të hapur drejtuar institucioneve të ndryshme nga një grup i madh aktivistësh dhe organizatave në mbrojtje të të drejtave të grave në Shqipëri.
Në letër thuhet se nisur nga fakti që shumica e personave që prostituohen janë gra dhe vajza, këto organizata janë mjaft të ndjeshme ndaj cështjes dhe mbështesin plotësisht qendrimin e Gjykatës së Lartë në lidhje me:
“Shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal si nen që vjen në kundërshtim me Kushtetutën”; neni parashikon që ‘Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet’.”
Sipas Organizatave, ky nen çon në pasoja që cënojnë të drejtat njerëzore të grave dhe vajzave, si dhe ju heq mundësinë për t’u përpjekur të shpëtojnë nga skllavëria.
Në letrën e hapur drejtuar institucioneve, Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave thonë se vendimi i Gjykatës do të krijojë më shumë mbrojtje për gratë dhe vajzat që shfrytëzohen për prostitucion, si dhe do të kontribuohet në mënyrë të rëndësishme për t’i dhënë fund kalvarit të viktimizimit, etiketimeve e paragjykimeve të grave e vajzave shqiptare, të cilat për vite me rradhë janë shfrytëzuar e trafikuar dhe nuk kanë marrë drejtësinë e merituar nga organet e drejtësisë shqiptare.