Kujdes! Kush i ngacmon gratë në rrugë, fotografohet
“Cat Callers in Kosovo” është albumi më i ri, i cili do të përmbajë foto të personave që ngacmojnë gratë me fjalë denigruese e poshtëruese në rrugët e Kosovës.
Ajo që ka filluar të shkrepë këto foto është Aulonë Memeti, lobuese për të drejta të barabarta mes gjinive, dhe organizatore e TEDxPrishtinaWomen.
Memeti thotë se në disa raste është thuajse e pamundur të fotografohen ngacmuesit.
“Mbrëmë tek po hyja në banesë ca kafshë të egra (4 meshkuj) nga kati i pari më fyenin me fjalët me banale të mundshme duke ngrënë fara e duke qeshë desha ti fotografoj por ikën”, ka thënë ajo.
Organizatorja e TEDxPrishtinaWomen thotë se i ka shterrur të gjitha mundësitë dhe fotografimi i ngacmuesve është fatkeqësisht ndër mënyrat e vetme ku me qytetari aktive mundemi të reduktojmë këtë fenomen.
Arkitektja e këtij albumi dëshiron që këto foto dhe thirrje të përhapen në Kosovë.
Deri tani në këtë projekt është vetëm Aulona, e përveç fjalëve të mira atë e kanë kërcënuar edhe me mesazhe personale.
Nëse ky fenomen do të përcillej nga gratë dhe burrat ateherë do të ulej kjo dukuri e ngacmimeve sipas saj.
Ndërkohë para dy vitesh lobuesja e të drejtave të njeriut tregon një rast që i kishte ndodhur. “Më ndiqte një djalë duke me ngacmuar “të hëngsha ketë, të hëngsha atë””, thotë ajo, e cila kishte kërkuar ndihmë tek një polic, i cili në atë kohë ka qenë tek Sach Pizza në Prishtinë.
Përgjigja e policit ishte “hajt hajt se juve femnave vet jau kona”.
Sipas Aulonës kjo është shumë e trishtë. Ajo mendon që ta zgjerojë këtë projekt me financa e njerëz me infulencë që të arrijnë të bëjnë diçka më konkrete.
Në listën e të ngacmuarve hynë edhe gratë e moshuara që nuk kursehen aspak nga fyerjet, e për shkak të mentalitetit e traditës këto gra nuk guxojnë tu tregojnë familjarëve.
“P.sh. tek po shëtisja qenin së bashku me nënën (55 vjeçe) ndërtimtar të banesave e ngacmonin atë në mënyrë shumë denigruse”, ka deklaruar Memeti.
Të moshuarit janë më banalë
Ngacmuesit më të shpeshtë duket se janë të moshuarit e gjinisë mashkullore. Sipas Memetit çuditërisht (fatkeqësisht) një pjesë e madhe e të moshuarve ose moshës së mesme 40-60 vjeçare janë me banalët.
“Edhe kjo moshë e shtyrë do të jetë pjesë e albumit “Cat Callers Kosovo”, se nësë këta nuk kanë një turp publik atëherë kur do t’i sheh gruaja, vajza ose kur do të mendojë se do të fotografohet mendon dy herë”, thotë Memeti.
Ngacmimet përveç se në rrugë bëhen edhe në vende të punës e në shkolla, por sipas saj problemi këtu qëndron tek mentaliteti dhe frika se meshkujt janë në pozitën e të fortit.
Dhe, shpesh herë, deklaron Aulona, femnat nga nevoja për punë pranojnë të denigrohen edhe në vende pune.
Ndërkaq inicatorja e “Cat Callers Kosovo” thotë se qytetarët në nevojë mund ti drejtohen edhe asaj për të kërkuar mbështetje ose për t’iu bashkuar iniciativës.
“E dua vendin tim dhe dua që të ngrisim vetëdijen qytetare përmes qytetarisë aktive”, ka thënë ajo./A.A.