#KuËshtëEmriIm, fushata ndërgjegjësuese e grave afgane për të luftuar për identitetet e tyre
#KuËshtëEmriIm po mundohet të ndryshojë praktikën afgane të të fshirit të emrave të grave. Në Afganistan shoqëria patriarkale nuk lejon emrin e gruas të dali në pah, as në varrin e saj.
“E shoqja, vajza ose motra e X’” është mënyra si shkruhet emri i të ndjerave nëpër varreza kur bëhet fjalë për gratë. Të përdorsh haptazi emrat e grave konsiderohet si e papërshtatshme dhe madje-madje merret si ofendim në komunitetin konservator mysliman”.
Në një çertifikatë lindjeje nuk ka shenja që dëftojnë emrin e mamasë. Në një ftesë për dasëm emri i nuses që ftohet nuk përmendet – vetëm emri i babait të saj dhe bashkëshortit.
Por një fushatë ndërgjegjësuese e drejtuar nga gratë në rrjetet sociale po nis të sfidojë këtë traditë të vjetër afgane.
#KuËshtëEmriIm, e lançuar nga një grup i vogël aktivistesh për të drejtat e gruas dëshiron të ndërgjegjësojë për vendosjen e emrave të grave në dokumentet zyrtare.
“Shoqëria jonë është e mbushur me padrejtësi ndaj grave, praktikisht cdo gjë është tabu për gratë”, shprehet aktivistja Bahar Sohaili, një pjesëtare e njohur e kësaj fushate ndërjgegjësuese.
“Me këtë fushatë ne duam të ndryshojmë shumë gjëra për gratë dhe rrjetet sociale e kanë hapur një dritare të re për gjeneratën e re të Afganistanit”, shton ajo.
Fushata është mbështetur nga mijëra afganë, duke përfshirë këtu shkrimtarë, gazetarë, muzikantë dhe figura të njohura vendase. Këngëtari afgan Farhad Darya e ka mështetur fushatën, duke postuar një foto të tijën bashkë me bashkëshorten nën diçiturën “Farhad dhe Sultana Darya”.
“Unë shkova në bankë dhe më duhej të plotësoja formularin, kur një punonjës atje më kërkoi emrin e mamasë, unë ndalova për disa sekonda, pasi realisht kisha harruar emrin e mamasë. Askush në gjithë këto vite nuk e ka thirrur atë në emër’’ shprehet Batool Mohammadi, pjesë e fushatës.
Praktika e fshirjes së emrave të grave është e ngulitur thellë në zakonet afgane. Ky është një simbol i statusit social sekondar të gruas në shoqëri, ku vendimet për edukimin dhe martesën e tyre iu lihen burrave të familjes.
Që prej përmbysjes së krahut politik ultra-konservator Taleban në 2001, gratë afgane kanë rifituar të drejtën për votë, edukim dhe punë. Por dhuna ndaj gruas vijon të prevalojë në shoqëri dhe asnjë dënim nuk po ndërmerret për këtë dhunë.
#KuËshtëEmriIm ka për qëllim të sfidojë qëndrimet patriarkaliste që lejojnë burrat të marrin në dorë të gjitha vendimet duke i lënë gratë të padukshme dhe të pafuqishme.
“Shumë herë unë takoj gra të mrekullueshme me ide të zgjuara dhe opinione të maturuara përgjatë udhëtimeve të mia të punës, por kur iu propozoj për intervistë ose të bëj foto me to ata më thonë se fillimisht duhet t’i kërkojnë leje bashkëshortit, babait ose vëllait” thtë Farzanah Wahidi, një fotoreportere nga Kabuli.
Bahar Sohaili si edhe miqtë e saj po luftojnë për të shumëpriturën ditë kur emri i një gruaje si dhe identiteti i saj nuk do të përbëjnë dicka të turpshme.
“Ne synojmë të ushtrojmë presion mbi qeverinë në mënyrë që të miratojë ligje për mbrojtjen e të drejtave të grave. Cdo herë që ne kërkojmë të drejtat tona përpara një gjykate ose në parlament ( zyrtarët) nxjerrin si pretekst fenë për të na hedhur poshtë kërkesën tonë”, shprehet ajo.
Sipas ligjit afgan emri i mamasë nuk duhet të regjistrohet në çertefikatën e lindjes. Abdullhah Atahi, zëdhënës për Gjykatën e lartë në Kabul u prononcua për ‘’Thomson Reuters Foundation’’ që shoqëria afgane s’është gati për ndryshim.
“Ne nuk kemi problem nëse e përmendim emrin e nënës në çertefikatën e lindjes ose në dokumente të ngjashme, por në Afganistan mentaliteti nuk është gati për një ndryshim të tillë. Ky ndryshim revolucionar mund të na sjelli një kaos të vërtetë”.
Por Shagul Rezaie, një ligjvënës dhe aktivist për të drejtat e grave u shreh se pavarësisht rrethanave jo-favorizuese lufta për të drejtat e grave do të vijojë.
“Ka disa elemente radikale në parlament që janë kundra këtyre iniciativave”shprehet ajo në një linjë telefonike nga Kabuli. “Por po përpiqemi të amendojmë ligjet ekzistuese dhe formulimin e disa ligjeve të reja për të mbrojtur të drejtat e grave.” /k.m/
Burimi: Independent