Zyrtarët e Koresë së Veriut ushtrojnë dhunë seksuale ndaj grave në vartësi, sipas një raporti nga grupi i të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW). HRW tha se abuzimi i tillë është kaq i zakonshëm sa që është bërë pjesë normale e jetës së përditshme.
Raporti është i bazuar në intervistat me 62 gra e vajza koreano-veriore, të cilat kanë ikur nga vendi dhe kanë dhënë dëshmi të detajuara për përdhunimin dhe abuzimin seksual në vendin e punës. Grupi tha se abuzimi seksual nga burra në pozita të pushtetit, tashmë është kthyer në diçka normale dhe të “pranueshme”.
“Ata na konsiderojnë lodra [seksi]. Ne jemi në mëshirën e burrave”, u tha autorëve të raportit, Oh Jung-hee, një ish punonjëse tregëtie.

Skicë që përshkruan rrëfimet e të arratisurave nga Koreja e Veriut/HRW
Mbledhja e informacionit nga brenda shtetit sekret është jashtëzakonisht e vështirë dhe raportet si ky janë të rrallë. Sipas HRW disa gra thanë se abuzimi seksual ishte bërë kaq i normalizuar saqë nuk mendonin se ishte “e pazakontë”, e disa të tjera thonin se ishte pranuar si pjesë e jetës së përditshme. Mungesa e edukimit seksual dhe keqpërdorimi i pushtetit nga ana e autorëve ishin disa nga faktorët e shumtë që kanë çuar në këtë mentalitet, shtoi raporti.
Autorët përfshijnë zyrtarë të lartë të partisë, rojet e burgjeve, policinë dhe ushtarët. Të intervistuarat rrëfyen se kur një zyrtar “zgjidhte” një grua, ajo nuk kishte mundësi të bënte asgjë tjetër përveçse t’i bindej.
Kjo ndodhi me një grua, e cila ishte marrë në pyetje nga një zyrtar i policisë në një institucion paraburgimi, pasi e kapën duke u arratisur nga Koreja e Veriut. “Ai më bëri të ulem shumë afër tij … [dhe] gjithashtu më preku midis këmbëve … “, tha Park Young-hee. “Jeta ime ishte në duart e tij, kështu bëra gjithçka që donte. Si mund të bëja ndonjë gjë tjetër?”
HRW bëri thirrje që Koreja e Veriut të “pranojë problemin e dhunës seksuale” dhe të kriminalizojë fenomenin.
Një raport i OKB-së më 2014 kishte konkluduar se “shkeljet sistematike, të përhapura dhe të rënda të të drejtave të njeriut” ishin kryer nga qeveria e Koresë së Veriut. Raporti shton se aborti i dhunshëm, përdhunimi dhe dhuna seksuale ishte kryer në burgje ose në paraburgim. / k.j
Burimi: BBC