Klosi: Tolerancë zero ndaj dhunës në familje
U mblodh dje këshilli kombëtar për barazinë gjinore nga ku ministri i Mirëqënies sociale dhe Rinisë, Klosi është shprehur për tolerancë zero ndaj dhunës në familje. Klosi tha se vlerëson arritjet e deritanishme duke theksuar se kjo rritje ka qënë sinjifikative. Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Klosi shtoi gjithashtu edhe se gratë në vendimarrje kanë qënë një arritje mjaft e madhe e qeverisjes në kuadrin e barazisë gjinore. “Të gjithë duhet të jemi përgjegjës për dhunën në familje dhe për ta parandaluar atë.”
“Të dhënat nga policia e shtetit tregojnë se gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, janë evidentuar plot 1696 raste të dhunës në familje nga të cilat rreth 933 raste kanë mbështetur në kërkesën padi për urdhër mbrojtje. Akoma kemi fatkeqësisht 12 viktima në këto përpjekje. Kjo situatë fton përgjegjësinë tonë , jo vetëm si zbatues të ligjit por edhe si qytetarë, për t’ju kundërpërgjigjur me punë konkrete dhe të koordinuara të të gjitha institucioneve dhe aktorëve, përgjgjës për parandalimin e luftës kundër dhunës në familje”, nënvizoi Klosi.
“Vazhdojmë të kemi përmirësime në kuadër të legjislacionit, por si në çdo fushë tjetër nuk është mungesa e legjislacionit por implementimi i tyre. Ndaj edhe ky këshill duhet të ketë më shumë detyra mbi vete, për të punuar më fort. Gratë në vendimmarrje kanë qënë një arritje e madhe. Rritja është shumë e madhe në drejtim të reformës territoriale, në këshillat bashkiakë. Janë 50% me 50% . Po ashtu është rritur bashkëpunimi me donatorët për projekte për barazinë gjinore”, sqaroi ministri i Mirëqënies Sociale.
Brunilda Paskali tha se këto projekte janë mbështetur nga ndërkombëtarët. Ajo shtoi se ka një sërë planesh konkrete sidomos për gratë sipërmarrëse apo programe trajnimi intershipi. Ndërkohë Nora Malaj nga ana tjetër gjatë mbledhjes u shpreh se problem i barazisë gjinore është në fokusin e gjithë politikave të qeverisë./A.A.