Këtë dua të bëj, por s’kam ku!
Sado që kemi “evoluar”, përcaktimi i roleve gjinore në shoqëri vazhdon të jetë akoma i pranishëm, madje dukshëm.
Besoni apo jo, përcaktimi i roleve gjinore shkakton pasoja të rënda. Si pasojë e kësaj dukurie, shumë njerëz heqin dorë nga ëndërrat e tyre, nga dëshirat për një profesion, për një hobi, duke u detyruar të kryejnë një profesion që nuk e duan ose të merren me diçka që nuk e kanë qejf.
Në vendin tonë edhe mund të kemi gra ndërtuese, kameriere, taksiste, shofere autobusi, politikane, pilote, ushtare, elektriçiste, futbolliste, postiere, shkencëtare, mekanike, kameramane etj, etj.
Mund të kemi edhe burra që merren me grim, manikyr, edukatorë, kujdestarë fëmijësh, promotorë etj, etj.
Por, fatkeqësisht janë në masë shumë të vogël, pothuajse fare.
Pse duhet të jetë kaq e vështirë për të ndjekur ëndrrat tona?
Jemi vetë ne, ata që përcaktojmë rolet gjinore. Duke mos besuar që një djalë mund të jetë grimier, që një grua mund të jetë elektriçiste ose që një burrë mund të kujdeset për fëmijët. Po, po, jemi vetë ne ata që paragjykojmë duke e shtuar më tepër këtë dukuri.
Viktimë e përcaktimit të roleve gjinore është edhe një 16 vjeçar nga një qytet i Kosovës, i cili ka preferuar të qëndrojë anonim, por duke e ndarë me ne historinë e tij.
“Tashmë jam në shkollë të mesme, vijoj mësimet në gjimnaz. Tash edhe një vit, do vijë koha që duhet të përcaktohem për profesionin që duhet të zgjedh në të ardhmen dhe të vazhdoj fakultetin. Ndihem sikur të jem në një udhëkryq.
E di, ndjenjën e tillë e kanë shumica e moshatarëve të mi për dilemat në zgjedhjen e profesionit. Por, mendoj që ëndrra ime, ma bën më të vështirë, të paktën në shoqërinë tonë.
Ka kohë që më pëlqen grimi. Është një dëshirë e imja që fshihet thellë brenda meje. Jo që dua ta mbaj të tillë, por jam i detyruar. Dhe kur e mendoj, kam frikë se gjithmonë do mbetet veç një dëshirë. Është një ëndërr që nuk e shpalos me askënd, as me shoqërinë e as me familjen. Sepse e di, jam i bindur që do tallem dhe nuk do të mirëkuptohem, do konsiderohem jo i aftë për ta kryer këtë profesion, do konsiderohem jo normal me këtë profesion “vajzash”, meqë shoqëria jonë është e prirur të ketë norma, norma të tilla ku edhe i lejohet të përcaktojë rolet gjinore dhe ti ndajë profesionet në baza gjinore.
Për aq kohë sa ta kem të pranishme këtë ndjenjë frike, mendoj të studioj mjekësinë, një drejtim, i cili nuk është se më pëlqen dhe aq. Lutem shpesh që ta marr guximin dhe të injoroj gjithçka tjetër, duke realizuar ëndrrën time.
Di të jem një këshillues i mirë, duke u munduar të bind të tjerët se është mirë t`i ndjekin ëndrrat dhe që assesi kurrë, për asnjë arsye të mos heqin dorë nga ato. Por, për vete, nuk është se jam dhe aq i aftë ta marr një hap të tillë. Seç më mund ajo ndjenja e frikës.
Shpresoj që askush të mos ketë dilema të tilla dhe të mos jetë i/e detyruar të heq dorë nga ëndrra për motive të tilla.
Do kisha dëshirë që kjo histori e imja të ishte inspirim për të tjerët, të mos ishte veç një dëshirë e pa realizuar. Por, të ishte diçka e bërë realitet, dhe ta ndaja me ju me plot krenari, duke rrëfyer se si i kam sfiduar rolet gjinore.
Epo, më vjen keq tani për tani. Të shpresojmë që do vijë dita, që këtë histori ta ndaj si një ëndërr të realizuar, si një storie suksesi.”/A.A.