Fushata zgjedhore në SHBA është në ditët e fundit dhe më kulminante të saj dhe beteja elektorale për postin e guvernatorit të shtetit të Georgias mund të kthehet në një betejë me rezultat historik. Stacey Abrams është kandidatura e Partisë Demokratike, e cila nëse shpallet fituese do të jetë guvernatorja e parë afro-amerikane e një shteti federal të SHBA.
Mbështetësit e Abrams janë të shumtë dhe sondazhet po e favorizojnë atë në ditët e fundit të një prej fushatave më emocionuese dhe domethënëse të këtij sezoni elektoral. Një përzierje prindërish, profesorësh dhe banorësh vendas, të moshuar e të rinj e shoqërojnë eskortën e saj në çdo takim elektoral.
Kjo është një skenë normale për politikanët kombëtare, senatorë e anëtarë të kongresit, apo yjet e skenës që vizitojnë Georgian, por kësaj rradhe brohoritjet, duartrokitjet dhe turmat e njerëzve janë për Stacey Abrams, një juriste 44 vjeçare dhe ish-ligjvënëse, e cila po kandidon përballë sekretarit të shtetit të Gjeorgjisë, republikanit Brian Kemp.
Gara është simbol i qartë i polarizimit dhe atmosferës politike të tensionuar që ka mbërthyer vendin pas zgjedhjes së Donald Trump si President. Z. Kemp, i cili e përshkruan veten si një “konservator jashtë kornizave”, i bën jehonë republikanizmit të ri të Trump që përqendrohet në uljen e taksave, mbrojtjen e të drejtave të armëve dhe përzënies së emigranëve ilegalë me kamionin e tij – siç paraqitet në një nga reklamat e fushatës elektorale.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/ap_18305640270232-300x200.jpg)
Oprah Winfrey i bashkohet fushatës elektorale së Abrams
Ndërkohë që fushata e zonjës Abrams, një kandidate progresive që përfaqëson komunitetin afro-amerikan, fokusohet te lehtësimi i kredivie studentore dhe ndihma ekonomike për familjet në nevojë, të cilat në shumicë i përkasin komunitetit afro-amerikan dhe me ngjyrë të vendit.
Shifrat tregojnë një rritje të numrit të votuesve të regjistruar, ku aktualisht nga 10 milionë banorë që ka shteti i Georgias, rreth 6.9 milionë janë regjistruar për të votuar. Një rritje e madhe vjen dhe nga votuesit me ngjyrë, të cilët po rrisin pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.
E lindur në një familje të varfër në Misisipi, Abrams u zhvendos në Georgia gjatë shkollës së mesme me prindërit e saj, të cilët u shpërngulën për të ndjekur shkollën e teologjisë të Universitetit Emory. Ajo u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Kolegjin Spelman, një kolegj femëror në Atlanta, para se të fitonte një bursë në Yale dhe të diplomohej në politika publike nga Universiteti i Teksasit.
Gjatë ditës së djeshme, fushatës ju bashkua dhe moderatorja e njohur Oprah Winfrey, e cila inkurajoi të gjithë minoritetet dhe njerëzit me ngjyrë për të votuar për Abrams dhe për të bërë histori. Winfrey mbetet një nga zërat më me influencë në shoqërinë amerikane dhe një nga kundërshtaret më të ashpra të politikave të administratës Trump./ k.j
Burimi: BBC