Kandidatët që bënë histori ditën e djeshme gjatë zgjedhjeve në SHBA
Siç ishte parashikuar, demokratët në SHBA arritën të fitojnë mazhorancën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët arritën të mbajnë mazhorancën në Senat. Zgjedhjet u shoqëruan me debate e polemika të shumta, por rezultatet paraqiten historike për disa gara, përsa i përket diversitetit dhe kandidatëve që vinë nga minoritete të caktuara të shoqërisë.
Guvernatori i Kolorados
Jared Polis fitoi në garën për guvernator të shtetit të Kolorados. Polis vjen nga komuniteti LGBT dhe është guvernatori i parë gay në historinë e SHBA-ve. Ish përfaqësues në Kongres, Polis që në fushatën e parë elektorale të vitit 2009, nuk e fshehu orientimin e tij seksual, dhe gjatë 2 viteve të fundit e përdori këtë fakt për të kundërshtuar politikat konservatore të administratës Trump. Platforma e tij progresiviste përfshin përkrahjen e politikave sociale në shëndetësi, ligje më të rrepta për zotërimin e armëve si edhe investime në energji të rinovieshme.
Jared Polis, i bashkohet Guvernatores së shtetit të Oregonit, e cila identifikohet si biseksuale. Në Kongres ai i shte një nga përkrahësit e lëvizjeve ligjore pro përdorimit të marijuanës, e cila ktheu Koloradon në shtetin e parë ku u legalizua përdorimi i marijuanës për qëllime rekreacioni.
Anëtarja më e re në moshë e Kongresit
Alexandria Ocasio-Cortez, do të jetë përfaqësuesja më e re në moshë në Kongres, nga shteti i New York-ut. Ajo sapo festoi muajin e shkuar 29 vjetorin, dhe ishte një nga kandidaturat që u përkrah më shumë në këto zgjedhje, nga demokratët kudo në SHBA. Në zgjedhjet brenda partisë demokratike, ajo mundi kandidatin Joe Crowly, i cili ishte një nga figurat më me ndikim në Dhomën e Përfaqësuesve.
Cortez përfaqëson komunitetin latin të shtetit të New York-ut dhe erdhi në pushtet falë një platforme social-demoratike dhe progresiviste, ku i kushtoi më shumë rëndësi mbështetjes sociale, shëndetësisë, financimit të kredive studentore nga shteti si dhe politikave për përkrahjen e emigrantëve.
Gratë fituese nga komuniteti vendas indian
Demokratet Sharice Davids dhe Deb Haaland do të bëhen gratë e para indiane të zgjedhura në Kongres. Ato përfaqësojnë respektivisht shtetet e New Mexico dhe Kansas.
Davids është anëtare e kombit indian Ho-Chunk dhe Haaland është një anëtare e regjistruar e Pueblo of Laguna.
Fitoret për dy gratë me origjinë nga komunitetet indiane vendase, shënojnë një tjetër moment historik në sistemin politik amerikan.
Muslimanet e para në Kongres
Demokratja nga shteti i Michigan-it Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, kandidatja e Partisë Demokratike të Minesotës, siguruan vendet e tyre përkatëse në Dhomën e Përfaqësuesve, pas fitoreve kryesore të padiskutuara në shtetet përkatëse.
Omar, përveç të qenit njëra nga gratë e para muslimane në Kongres, do të jetë gjithashtu anëtarja e parë somalezo-amerikane. Ajo erdhi në SHBA më shumë se dy dekada më parë si një refugjate së bashku me familjen e saj./k.j