Kana ndalon me ligj veshjen myslimane “burkini” në plazhe
Qyteti i Kanës në Rivierën franceze ka ndaluar me ligj përdorimin e “burkinit” në plazh, një kostum banje i përdorur nga gratë myslimane. Urdhri i firmosur nga kryetari i bashkisë së Kanës, David Lisnard, thekson se noti dhe plazhi janë të ndaluar për ata që veshin “rroba të pahijshme dhe në kundërshtim me moralin dhe sekularizmin”.
Sipas BBC, ligji i ri thotë se kushdo që kapet në plazh me burkini do t’i kërkohet ta ndryshojë veshjen, të largohet nga plazhi ose të paguaj një gjobë prej 42$.
Kryetari i bashkisë Lisnard, e ka cilësuar burkini si “një veshje që është simbol i ekstremizmit islamik”, duke shtuar se Kana është e detyruar ta ndalojë përdorimin e veshjes tradicionale të grave myslimane në plazhe për arsye sigurie.
Ndalimi ka provokuar kritika të forta nga grupet myslimane dhe organizatat kundër diskriminimit, të cilët argumentojnë se gratë duhet të jenë të lira të vishen si të dëshirojnë. Shoqata Kundër Islamofobisë në Francë ka thënë se do të ngrejë një padi ndaj këtij ligji.
Franca është shtet laik dhe një prej vendeve me popullsinë më të madhe myslimane në BE. Gjithashtu një prej shteteve që ka goditur herë pas here veshjet fetare, duke u bërë vendi i parë në Evropë që ka ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës në vitin 2011.
Në vitin 2004 gjithashtu ka miratuar një ligj që ndalonte shfaqjen e çdo simboli fetar në shkollat shtetërore, duke përfshirë shamitë, kryqe etj.
/m.g/