Juristi egjiptian burgoset pas deklaratave nxitëse për përdhunimin e grave
Një jurist egjiptian është dënuar me tre vite burgim pasi tha gjatë një debati televiziv se vajzat që veshin xhinse të grisura duhen përdhunuar si formë ndëshkuese.
Nabih al-Wahsh, një konservator i njohur është gjobitur gjithashtu me shumën prej 20.000 paund egjiptian (1.130 dollarë amerikanë). Juristi e shprehu këtë mendim gjatë një paneli diskutimi në televizion në Tetor, gjatë një debati mbi një draft ligjor rreth prostitucionit.
‘‘A jeni ju të lumtur nëse shihni një vajzë e cila ecën në rrugë me pjesë të ekspozuara të trupit të saj?‘‘ shprehet juristi.
Ai vijoi argumentin e tij shokues: ‘‘ Unë them se një vajzë që ecën me atë pamje e kthen në detyrë patriotike ngacmimin seksual ndaj saj si edhe një obligim kombëtar përdhunimin ndaj saj‘‘.
Zoti Wahsh u shpreh se vajzat që vishen duke ekspozuar dukshëm pjesë të trupit provokojnë djemtë dhe duket sikur e kërkojnë vetë ngacmimin seksual. ‘‘Mbrojtja e moralit është më e rëndësishme edhe se vetë mbrojtja e kufijve shtetërorë‘‘.
Akuzat kundër zotit Wahsh erdhën pas zemëratës nga opinioni publik që rrodhi pas deklaratës televizive së juristit në fjalë.
Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Grave i ndëshkoi këto fjalë të thëna nga juristi, duke shtuar se ato përbëjnë propozim flagrant për nxitjen e përdhunimit, dhe kjo gjë përbën shkelje në Kushtetutën e Egjiptit. Këshilli dorëzoi padinë pranë Autoritetit të Lartë për monitorimin e Etikës në Media rreth transmetimit të këtij debati i cili u transmetua në 19 Tetor.
Juristi ka përdorur gjuhë urrejtjeje dhe diskriminuese edhe më përpara, teksa e ka cilësuar Holokaustin ‘‘imagjinar‘‘ dhe është vetë deklaruar anti-semitist.‘‘Nëse do ta shikoja ndonjë izraelit do ta vrisja‘‘ u shpreh juristi gjatë një paneli tjetër televiziv të mëparshëm. Në Tetor të vitit të kaluar zoti Wahsh u përfshi në një debat të ashpër televiziv pasi një klerik sugjeroi se gratë nuk duhet të veshin detyrimisht shaminë e kokës./k.m/
Burimi: BBC News