Jolie: Përdhunimi, arma kryesore e ISIS
Aktorja e famshme Angelina Jolie është paraqitur para Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe për të bërë thirrje për «një reagim të fuqishëm» ndaj Shtetit Islamik për të ndalur përdhunimet e shumta.
Ylli hollivudian, në paraqitjen e saj në institucionin e dytë nga rëndësia pas Parlamentit në Britani, institucionit që merret me përpilimin e ligjeve, ka thënë se ky është grupi terrorist më agresiv që njerëzimi ka njohur deri tani.
«Grupi terrorist më agresiv në botë di atë që tashmë e dimë të gjithë, e di që përdhunimi është armë efektive dhe ata po e përdorin këtë si armë kryesore të terrorit të shkaktuar prej tyre dhe në këtë mënyrë po shkatërrojnë komunitete dhe familje, po sulmojnë dhe po shkatërrojnë njerëzimin», ka thënë Jolie, raporton «The Telegraph».
«Grupi terrorist me të cilin po përballemi në Siri dhe Irak po përdor përdhunimin. Ata po e diktojnë atë si politikë. Kjo është përtej asaj që kemi parë deri tani… Ata thonë, ‘Ju duhet ta bëni këtë, kjo është mënyra për të krijuar një shoqëri, ne kërkojmë nga ju që të kryeni përdhunime’. Me të vërtetë mendoj që duhet të kemi një përgjigje të fuqishme drejt këtij grupi», ka shtuar aktorja e famshme.
Jolie ka kohë që bën fushata kundër përdhunimeve si armë e luftës dhe ka regjizuar edhe filmin «In The Land of Blood and Honey» për përdhunimet masive që u bënë në luftën e Bosnjës në vitet 90-të./A.A.