“Jo nusja ime, por nusja jonë”
Shkruan: Lis Bukuroca
Jo “Unë”, por “Ne!” Kështu shkatërrohej individualiteti. Një sukses përjetohej si sukses kolektiv dhe një dështim, si dështim fisnor! Përgjegjësia e shtrirë në grup, anulon përgjegjësinë individuale. Për të pasur sukses në jetë, atë duhet jetuar sipas dëshirës dhe mundësive vetjake, jo sipas kërkesave të tjerëve dhe pritshmërisë së tyre.
Kur vajza dashurohej, revoltohej fisi. Nëse ajo kishte bërë dashuri, tmerrohej krejt klani dhe përgatitej për sulm, thua se dikush ua kishte bërë atë punë të gjithëve! Pse? Sepse aty nuk ekzistonte “unë”, “ai”, “ajo”. Aty ekzistonte vetëm ne. “Ne” tmerrohej me dashurinë e bijës, por jo të djalit! Ai “Ne” ishte patriarku. Aty nuk kishte dinjitet vetjak! Aty nuk kishte sedër vetjake! Aty kishte sedër dhe dinjitet kolektiv. Aty nuk kishte as identitet individual, por identitet kolektiv! Nëse nuk i ngjante grupit, tiranizohej!
Aty nuk i gëzoheshin dashurisë, por aty mburreshin me nënshtrimin: zhdukjen e identitetit vetjak dhe ngulej këmbë në pranimin e zhdukjes së vullnetit individual. Pavarësia dhe autonomia private përjetohej si tradhti, si dezertim, si prishje dhe si pasojë e magjive dhe sehireve. Vajzave u imponohej bindja e identitetit negativ. Jo nga pushtuesi, por nga i ati!
Aty ku nuk i gëzohen dashurisë si të djalit, si të vajzës, nuk prodhohet asgjë me vlerë: as në art, as në letërsi, as në industri! Cila mund të jetë arsyeja? Arsyeja mund të jetë lufta gjinore permanente në shtëpi! Popujt e tillë nuk kanë kohezion të brendshëm. Ata jetojnë në një gjendje entropie dhe mund të pushtohen lehtë. Jo luftë klasore çfarë predikonte komunizmi, por luftë bazuar në organe gjenitale, brenda familjes! A ka dhe motive tjera? Po, mund të ketë! Shumë! Zhdukja e mundësisë për të zgjedhur vet, si profesionin, ashtu dhe gruan, mund të jetë një tjetër arsye! Po arsye tjera? Natyrisht se ka edhe shumë, por mund të jetë edhe mungesa e lirisë për ta jetuar jetën sipas mundësisë dhe dëshirës së vet. Vendet kur respektohet individualiteti dhe liria, prodhojnë sot çdo gjë me vlerë! Ripërsëritja e jetës dhe mendësisë, përsërit burra, që kopjojnë të kaluarën dhe kjo garanton ngecje epokale dhe shekullore! Prej injoranti në injorant dhe e keqja e madhe është, se edhe ata të ‘kënduarit’, mburren me mendësinë e injorancës dhe flasin mu si ata!
Në shtëpinë ku liria është selektive dhe ku ekziston trysni e përhershme, fëmijët mësohen të gënjejnë. Ky mësim u imponohet me dhunë dhe gënjejnë njëri – tjetrin. Gënjeshtra si kulturë dhe si art, imponohet edhe në diktaturë. Dallime nuk kanë, sepse si në shtëpi, ashtu edhe në shtet, frika mbillet me kërbaç, grushte ose shkop. Si në diktaturë, ashtu edhe në patriarkalizëm, dashuri për njeriun nuk ka. Dashuria përjetohet si kurvëri te vajzat dhe si dobësi te djemtë, por ekziston respekt i madh ndaj dresimit, pra ndaj sadomazokizmit!
Aty mungon kultura e sinqeritetit dhe jetohet duke u shtirë, sepse vetë fakti se ekziston vullneti dhe dëshira për të diskriminuar fëmijën, tregon se aty luhet një lojë mbijetese, një modus vivendi, ku gabimet fshihen si në diktaturë fjala, ose vepra kundër pushtetit. Po, mu si kundër diktaturës, sepse diktatura nuk njihte dashuri. Dashuri nuk njeh as patriarku. Patriarku nuk ka përjetuar dashuri dhe nuk njeh atë emocion dhe e konsideron turp.
Ai është i bindur se organet gjenitale janë përcaktues të lirisë dhe barazisë. Ai nuk kupton se njeriu është njeri dhe ka dinjitet! Ai bazohet në forcë dhe arsyeton shtypjen dhe diskriminimin në shtëpi duke thënë se gratë, nuk mund të bëjnë disa punë që i bëjnë burrat? As burrat nuk mund t’i bëjnë disa punë që dinë ti bëjnë gratë. A duhen diskriminuar burrat për këtë? Jo! Jo, ata janë të fuqishëm! Po nëse ai është i fuqishëm, a ka burrë tjetër më të fuqishëm se ai? Po, ka! Madje shumë! Po pse atëherë ai të ketë të drejta të barabarta me një burrë më të fortë se vetja? Sepse ka dy vezë dhe një spec dhe meqenëse nuk i shihen, nuk mund të krahasohen, prandaj nivelohen, sepse supozohet se kanë kalaveshin e pasionuar të gjithë. Çfarë turpi! Çfarë mjerimi! Çfarë shamanizmi! Çfarë logjike tribale!
Aty ku gratë nuk kanë barazi, ato nuk janë autore të jetës, por shërbëtore të specave. Aty ku shtypen vajzat, qahet për nënat, gjersa shtypet bashkëshortja, nëna e fëmijëve! Kështu u falen traumat e njëjta prej brezi në brez.