Jetoj në një gënjeshtër: Flasin gratë e Arabisë Saudite
“Ne nuk na lejohet as të shkojmë në supermarket pa leje apo një shoqërues, dhe kjo është vetëm një gjë e thjeshtë në listën e gjatë, të tmerrshme të rregullave që duhet të ndjekim”. – DOTOPS 24
“Kujdestaria mashkullore e bën jetën time ferr!! Ne duam të dalim me miqtë tanë, të hamë drekë jashtë. Ndihem e pashpresë.” – JUJU19, 21
“Unë nuk e kam problem të marr miratimin e babit në gjëra te të cilat ai duhet të jetë pjesë. Këto lidhje shumë të forta sociale ju nuk do ti kuptoni kurrë, kurrë.” – Noura
Këto janë tre prej afërsisht 6,000 grave nga Arabia Saudite të cilat i shkruan The New York Times javën e kaluar në lidhje me jetët e tyre.
Ne kemi vënë një thirrje në faqen tonë dhe në Twitter në lidhje me publikimin e “Ladies First”, një dokumentar i Times të cilin e realizova unë në lidhje me zgjedhjet e para në të cilat gratë lejohen të votojnë dhe të kandidojnë për zyra lokale.
Arabia Saudite është një shoqëri tepër private e patriarkale. Ndërsa po bëja filmin, shumë gra ishin të frikësuara për të ndarë me mua historitë e tyre nga frika e reagimit nga të afërmit burra të cilët kontrollojnë çdo aspekt të jetës së tyre si të ashtuquajturit kujdestarë. Ne donim të dëgjonim më shumë për frikat, frustrimet dhe ambiciet e tyre.
Arabia Saudite ka një nga normat më të larta në botë të përdorimit të Twitter, dhe postimet tona u rritën shumë. Ne u habitëm nga prurjet.
Shumica e përgjigjeve u fokusua në irritimin mbi rregullat e kujdestarisë që i detyrojnë gratë të marrin leje nga një mashkull i afërm – burri, babai, vëllai madje edhe djali – për të bërë gjëra të tilla si p.sh. të shkojnë në universitet, të udhëtojnë jashtë vendit, të martohen me partnerin që e zgjedhin vetë apo të kërkojnë kujdes mjekësor. Disa gra folën për krenarinë që kishin për kulturën dhe shprehën mosbesim ndaj të huajve. Por shumë prej tyre folën për dëshirën e madhe për ndryshim dhe shprehën humbjen e shpresës për 19 Korrikun.
Pati një reagim të zemëruar në një hashtag në Twitter i cili ishte shkruar arabisht “Mos i trego The New York Times”. Dhe aty pati një reagim ndaj reagimit: “# mos_i thuaj_theNewYork_times që yt atë të përdhunon dhe ti largohesh nga shtëpia, më pas ty të futin në burg, dhe nëse të lenë të dalësh, do të kthejnë sërish tek ai.”
Pjesë nga përgjigjet e grave janë më poshtë, shumë të përkthyera nga arabishtja. Për tu mundësuar grave që të ndjehen të lira e të flasin hapur, ne u dhamë mundësinë e anonimitetit. Kur ishte e mundur, ne verifikuam identitetin e komentuesve ose vendndodhjen e e-mailit të tyre. Në disa raste, kjo doli e pamundur.
Një jetë e kufizuar
“Bëmë një aksident një herë me një taksi dhe ambulanca refuzoi të më merrte për në spital deri sa mbërriti kujdestari im mashkull. Kisha humbur shumë gjak. Nëse ai nuk do të vinte atë moment, unë do të kisha vdekur tashmë.”- Rulaa, 19
Riyadh
“Sa herë që dua të udhëtoj, duhet ti them djalit tim adoleshent që të më lejojë.”- SARAH, 42
një mjek në Riad
“Motra ime shkoi në një librari pa marrë leje nga burri i saj, dhe kur u kthye, ai e rrahu atë pa kontroll.”
– AL QAHTANIYA 28
Riyadh
“Dera e shkollës ku punoj është e mbyllur nga mëngjesi deri në mesditë. Atë e ruan një burrë dhe edhe nëse një mësuese ka mbaruar me klasat e saj, ajo nuk mund të largohet. Porta metalike na mban të burgosura…” – Malak, 44
Riyadh
“U largova nga shtëpia dhe kërkova strehim me një organizatë për të Drejtat e Njeriut në Arabinë Saudite. U tregova për problemet e mia me babain tim, por ata nuk mundën të bënin asgjë, dhe më këshilluan të shkoja në polici për të kërkuar mbrojtje nga babai. Kur shkova në polici, babai im i kishte informuar tashmë që unë isha larguar nga shtëpia. I thashë gjithçka policisë, dhe ata thanë se kam bërë diçka të gabuar / kryer një krim të tmerrshëm duke braktisur shtëpinë e babait tim, dhe më futën në burg!
“Tre ditët e para i kalova në izolim, pastaj më transferuan në repartin e përgjithshëm. Aty kishte gra që kishin kryer krime të tilla si vrasje dhe vjedhje..” – VAJZË TIPIKE E ARABISË SAUDITE, 23
“Kujdestari im mi ndalon vizitat nga mikeshat e mia apo të shkoj në qendrat tregtare vetëm. Ky është një izolim i plotë nga të gjitha gëzimet në jetë.”
– Malak, 28
Abha
“Është si të jem në pranga, dhe shoqëria, ligji, njerëzit janë kundër nesh. Kjo është arsyeja pse shumica e grave zgjedhin të martohen në të 20-tat e tyre të hershme, si një mënyrë për të shpëtuar, dhe e merr pak me mend? Burri me të cilin martohet nuk është ndryshe nga vëllai apo babai i saj.” – BASHAYR, 19
Al-Hasa
“Ai nuk më lejon të punoj, edhe pse kam nevojë për para. Ai gjithashtu nuk i plotëson të gjitha nevojat e mia. Nuk mund të më kujtohet hera e fundit që atij i ka interesuar se çfarë dua apo për çfarë kam nevojë. Ai është i martuar me katër gra dhe është plotësisht i zënë me to, dhe nuk më lejon të udhëtoj me nënën time. Unë vuaj shumë, madje edhe në jetën time sociale. Ai e kontrollon atë plotësisht dhe nuk lejon që të më vizitojnë mikeshat apo unë të shkoj tek to. Ai më detyron të jetoj në përputhje me bindjet dhe fenë e tij. Unë nuk mund ta tregoj veten time të vërtetë. Unë jetoj në një gënjeshtër vetëm që të mos përfundoj e vrarë.” -DINA, 21
Riyadh
“Është mbytëse. Më mirë të vras veten se sa të jetoj kështu. Jetoj me shpresën më të vogël që kam se një ditë kjo do të ndryshojë.” – H41, 19
Riyadh
Sistemi funksionon për disa
“Gratë saudite kanë arritur aq shumë, por nuk e reklamojnë. Ka një histori të gjatë grash të cilat kanë punuar pa pushim për të ndihmuar shoqërinë dhe për të ndërtuar këtë vend.” – Haifa, 28
New York dhe Riad
“Unë kam nevojë për lejen e babait apo burrit për të udhëtuar jashtë mbretërisë, dhe për mua është O.K., pasi kam nevojë që ata të dinë se ku jam, sidomos me gjëndjen aktuale të ngjarjeve në botë.” – Duxhane Mousa, 56
një mjek në Riad
“Unë kam jetuar për ca kohë në Perëndim, dhe kam parë që jeta e një gruaje është shumë e vështirë, pasi ajo ka për të bërë detyra të rënda që vetëm një burrë mund ti bëjë. Ndërsa në vendin tonë, burri ofron të gjitha format e rehatisë për gruan.”- Afnan, 30
Riyadh
“Kur do ndalojë media ndërkombëtare të ndërhyjë në punët e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe të grave, burrave dhe fëmijëve të saj?”
– MIMI, 29
Jidda
Një e ardhme në duart e kujdestarëve
“Më është dashur të heq dorë nga shumë mundësi edukuese për shkak se ai (kujdestari im) nuk mendon se një mjek ka nevojë për një program kulturor shkëmbimi ose një simpozium që ai nuk e kupton. Ka dy vjet që mundohem ta bind të më lejojë të martohem me burrin që dua.
“Unë jam përgjegjëse për jetët e njerëzve çdo ditë, por jetën time nuk mund ta kem si e dua.” – A. M., 30
një mjek në Jidda
“Më në fund mora një bursë për të bërë masterin jashtë vendit. Dhe kjo ishte ëndrra ime, të cilën e kam pritur dhe kam punuar shumë, për shumë vite, dhe kam marrë notat e nevojshme. Por për shkak se nuk do të kem një burrë- të ashtuquajturin kujdestar- me vete, bursa ime dhe udhëtimi u refuzuan. Kujdestari im gjithashtu më detyron të mbuloj fytyrën time, edhe pse kjo duhet të jetë një liri personale dhe fetare.” – GHADAH, 27
Riyadh
“Po luftoj me babain tim dhe po përpiqem që ai të miratojë që të shkoj në shkollën mjekësore. Është viti im i fundit i shkollës së mesme, dhe unë nuk kam asnjë ide nëse ai do ta miratojë apo jo. Nuk kam asnjë ide se çfarë më pret në të ardhmen. E ardhmja ime është në duart e këtij njeriu injorant/ seksist, dhe unë nuk mund të bëjë asgjë në lidhje me këtë. ”
– ANONYMOUS, 18/A.A.