Jam dashnorja dhe jam e lumtur
Luela Myftari
I.
Jam e varfër. Bashkëshorti më ka lënë përpara 4 vjetësh. Kam një vajzë në gjimnaz dhe punoj si luleshitëse sepse nuk kam shkollë të lartë. Përpiqem t’i plotësoj gjërat më minimale bijës sime. Por, mundohem ta zë një pjese të mirë të kohës sime me punë sepse e kam të vështirë të komunikoj me të. Si adoleshente që është, ajo vështirë se e kupton veten. Unë nuk e kuptoj dot dhe këtë e them me bindje të plotë. As ajo s’e kupton veten e po përpiqem thjesht ta bëj të jetojë që ta gjejë veten. Fundja çfarë shembulli t’i jap unë? Ajo e di që duhet të vazhdojë shkollën e lartë e të mendohet mirë përpara se të marrë vendime të rëndësishme. Unë vetëm kaq mund t’i them. Ajo më shan shumë që unë nuk mundem t’i plotësoj shumë dëshira. Nuk e di se cila do të bëhet ajo, gruaja e një burri të pasur apo dashnorja e po këtij burri. Për Shën Valentin një burrë që zbriti nga një makinë e bukur, e madhe dhe e zezë hyri në dyqanin ku punoj unë dhe porositi dy tufa të mëdha lulesh. Të dyja nga 45 mijë lekë, me lule të njëjta, me kartolina të njëjta, por me emra dhe adresa të ndryshme. Pasi i pa dhe i pëlqeu, u sigurua që të dyja të shkonin në dy adresat e ndryshme dhe të mos ngatërrohej kartolina për gruan dhe ajo për dashnoren. 10 mijë lekëshin e kusurit ma dha mua, për heshtjen. Unë ia dhashë vajzës për Shën Valentin. Ajo është dashuria ime e vetme.
II.
Unë jam bashkëshortja e një burri të pasur. Jam pedagoge. Jap mësim 6 orë në javë në një universitet dhe 6 orë të tjera në një tjetër. Punoj gjithsej 12 orë në javë sa për të mos u mërzitur në shtëpi. Fundja nuk jam shkolluar kot. Prindërit e mi shpenzuan shumë të më shkollonin dhe më vjen turp të them që varem nga burri. E vërteta është që rroga ime s’është për gjë. Ama, lidhjet e tim shoqi të pushtetshëm falë parasë, më kanë bërë intelektuale dhe një grua të fortë në shoqëri. Një burrë i tillë ama ka kostot e tij. Do shoqëruar nëpër takime, veshur bukur, hijshëm dhe me klas. Gjithnjë e buzëqeshur dhe e gatshme për të qenë mikpritëse. Im shoq zgjohet përpara se të zgjohem nga gjumi, ndoshta se prej kohësh nuk mendon se jam e bukur kur zgjohem nga gjumi. Takohemi vetëm kur jemi të bukur dhe në mbrëmje, kur tregojmë se si shkoi dita dhe se çfarë do të shpenzojmë apo fitojmë nesër. Dashuri bëjmë më rrallë, por ama për Shën Valentin, për ditëlindje dhe në çdo përvjetor ai nuk harron të më nisë dhurata. Unë jam më e zënë me fëmijët, ndërsa ai më i zënë me bizneset. Dyshoj ndonjëherë se ai ka dashnore, ashtu sikurse edhe bismesmenë të tjerë miq të tij, por përtej dyshimit nuk dua të kontrolloj më e ta mërzis veten , kështu që më mirë shijoj këtë shportë të bukur dhe mendimin e tij për të më dhuruar buzëqeshje. Sot, për Shën Valentin do dal me të për darkë. Në drekë, kishte mbledhje dhe më premtoi se punonjësit do t’i linte të iknin më shpejt meqë është festë.
III.
Unë jam një vajzë jo e bukur. Zgjohem në mëngjes dhe e shoh që nuk jam e bukur. Por asnjëhere nuk harroj të shkoj në parukeri dhe të kurohem në maksimum. Jetoj në një shtëpi me qira, por ama kam një makinë të mirë, që më shërben për të veshur takat e larta që më japin aq shumë hijeshi. Po vazhdoj studimet që nuk patën mundësi të m’i paguajnë prindërit. Në fakt, ata nuk kishin faj që unë nuk ia dola të fitoja universitetin në shtet, por as unë nuk kam faj që ata nuk më paguajnë dot shkollën në privat. Kështu u lidha me një burrë. Është simpatik, ka para, më paguan shkollën dhe më la blerë një makinë të vogël jo të shtrenjtë. Unë e kërkova të tillë. Nuk dua të bie në sy që jam lidhur me një burrë të martuar. Punoj në kompaninë e tij si shefe e burimeve njerëzore. Nuk është punë e vështirë dhe rroga është e mirë, të paktën më del të paguaj qiranë, të ushqehem mirë e të dal fundjavave. Ai nuk më pengon të dal me gocat në mbrëmje, nuk më pengon të vishem bukur, nuk më pengon të bëj pushime me shoqërinë, nuk më pengon të studioj, nuk është xheloz. E vetmja gjë që më ndalon është të kërkoj të martohem me të. Hë për hë s’kam të ardhme me të. Pra, nuk mund të mendoj për fëmijë e familje. Por, ama jam e lumtur. Jam dashnorja e një burri të martuar, por ama jam e lumtur. Sot për Shën Valentin më ka dhuruar një tufë të madhe me lule dhe një kartolinë të bukur. Ai gjithnjë nuk harron ditëlindjen time, Shën Valentinin dhe unë ndihem e vlerësuar. Madje edhe kur nuk kam ngrënë asgjë dhe koha e drekës ka mbërritur në zyrë ndërkohë që unë kam humbur në mendime, në punë a në studime, ai kujtohet të porosisë diçka. Jam dashnorja, hë për hë jetoj e qetë dhe kam gjithçka dua mund të kishte një vajzë si unë që vjen nga një zonë rurale. Jam më e bukura e fshatit, kur shkoj e vizitoj prindërit në fshat, por kurohem shumë. Shumica e parave që i dashuri më jep për kaburant apo për kreditin e telefonit shkon për imazhin tim. Dhe unë ndihem kaq e bukur. Shoqëria më respekton, kam një punë të mirë dhe jam e lumtur edhe pse jam dashnorja.
IV.
Jam gjimnaziste. Nuk kam të dashur. Duhet të studioj shumë sepse mami im punon 10 orë në ditë si luleshitëse për të më shkolluar mua. Më ka blerë celular dhe lap top. Mbrëmjet i kaloj me mamin duke parë televizor ose duke humbur në Facebook. Për Shën Valentin nuk kam mora dhuratë nga ndonjë djalë, por 10 mijë lekë nga mami. Në darkë u ula në Facebook dhe pamë ç’kishin postuar njerëzit për dashurinë. Dhuratat dhe tufat e luleve mbizotëronin postimet. Kushurira ime kishte marrë një super shportë me lule. E pyeta mamin sa mund të kushtonte një tufë e tillë. 40 a 45 më tha dhe qeshi. “Shi dreqi, e ka gjetur dashurinë e s’na thotë gjë kur e pyesim”, u mjaftova të them. “As mos e pyet fare”, më tha mami qetësisht. Nuk e kuptova pse. Nuk e kuptova as ditët në vijim. E kuptova vetëm pas një jave, kur komshia në katin e tretë nxorri shportën me lule të thara për ta hedhur. Ishte njëlloj si ajo shporta që kishte kushurira ime. Hyj në Facebook dhe i bëj kërkesë miqësie komshies në katin e tretë, një pedagoge, një femër e plotësuar, një model për t’u ndjekur. Më pranon. Për Shën Valentin, kishte postuar: “E lumtur që ai më do më shumë se Shën Valentinin e parë. He never forgets me. Feeling happy!”. Në mbrëmje ia tregoj të dyja postimet mamit, atë të kushërirës dhe atë të fqinjës. Mami qeshi sërish dhe tha: “Atë ditë tufat e luleve i kam përgatitur njëlloj. Nuk ka asgjë për të menduar dhe thënë. Mos u përziej. Ti mund të jesh secila nga ato pas ca vitesh. Edhe ti do të shkruash kështu për dhuratën tënde të Shën Valentinit”. E vetmja pyetje që më lindi ishte: Cila nga ato do të isha unë? Gruaja e lumtur dhe e plotësuar që nuk do të kuptojë se burrin e ka humbur apo dashnorja e lumtur që s’mund të ëndërrojë më tej? Të dyja, dukeshin të lumtura në fakt. Të dyja i takova pas një muaji. Të dyja vazhdonin të dukeshin të lumtura./luelamyftari.wordpress.com