Hiqen posterat seksist në Kroaci pas zemëratës publike
Në një vend si Shqipëria ku viktimizimi i grave mbështetet nga media shqiptare me audimat relativisht të lartë sikurse “Top Channel”, plotësisht jo profesionale në trajtimin adekuat të femicidit dhe dhunës me bazë gjinore, në Kroaci mjafton një poster seksist që i gjithë opinionin publik të zemërohet.
Posterat seksist, që tregonin se të pirit alkool për gratë do të thotë që do ta kenë më të lehtë të kryejnë marrëdhënie seksuale me persona të huaj, janë hequr prej tramvajve në kryeqytetin kroat, Zagreb. Kjo vjen si rezultat i reagimit të ashpër publik.
Sipas posterave, alkooli afekton ndryshe burrat dhe ndryshe gratë. Tek gratë efekti që jep është “çlirues” duke i kthyer në imorale këto gra, pa dinjitet dhe të gatshme për tu përfshirë në një sërë raportesh seksuale me të panjohur. Në lidhje me reklamat është shprehur dhe Avokatja e Popullit, Višnja Ljubičić:
“Një portretizim i tillë për gratë është ofendues dhe degradues, si dhe nuk pajtohet me principet për barazinë gjinore apo me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare që e definojnë seksizmin dhe stereotipet seksuale si një ndër faktorët pengues për arritjen e barazisë së plotë gjinore”.
Ljubičić rekoamndoi largimin e këtyre posterave për shkak të mesazheve me natyrë seksuale dhe degradimit të grave. Posterat janë hequr, gjë që dëshmon fuqinë e kritikave nga opinioni publik i gjerë.
Pas debatit të zjarrtë rreth posterave, organizata përgjegjëse për dizajnimin e posterave kërkoi falje publike për përmbajtjen dhe i zëvendësoi me postera të tjerë./k.m/
Burimi: NewsMavens