Më 4 nëntor 2019, gratë në të gjithë Evropën ndalojnë së qeni të paguara efektivisht.
Kjo vjen për shkak se, mesatarisht gratë në Bashkimin Evropian fitojnë 16% më pak se homologët e tyre burra. Pra, me 16% të pjesës së mbetur të vitit të punës, kontinenti shënon ditën e pagës së barabartë.
Sigurisht, pabarazia në paga midis burrave dhe grave nuk është një çështje e thjeshtë: gratë janë përkujdesëset parësore në familjet e tyre dhe – historikisht – kanë punuar në sektorë të ekonomisë, përgjithësisht të nënpaguar .
Megjithatë, sipas të dhënave, ato vijojnë ende të përballen me tavanin e qelqtë të korporatave, duke kaluar për promovim nga bosët burra dhe duke u paguar më pak për të njëjtën punë si burrat.
Pabarazia e pagave midis gjinive ndryshon gjerësisht në të gjithë Evropën – me disa nga boshllëqet më të mëdha që gjenden në vendet me ekonomi të fortë – por ajo që nuk ndryshon është fakti që shifra 16% nuk ka lëvizur thuajse fare gjatë pesë viteve të fundit.
Më 18 Mars 2019, ndërmarrja e trenave në Berlin njoftoi se biletat do të kushtonin 21% më pak për gratë vetëm për një ditë. Njoftimi erdhi me një paralajmërim të rreptë: Burrat që përpiqen të udhëtojnë duke përdorur “Frauentickets” (bileta për gra) do të trajtoheshin si shmangës të tarifave dhe do të gjobiten 60€.
“Berliner Verkehrsbetriebe” e nisi këtë fushatë, pasi Gjermania shënoi ditën e barabartë në paga, e cila mbahet në fillim të vitit, teksa mbetet një nga vendet më të këqija në Evropë për sa i përket hendekut gjinor të pagave, me gra që fitojnë mesatarisht 21% më pak se burrat.
Pas Estonisë dhe Republikës Çeke, Gjermania është vendi i parë në Evropë për hendekun e pagave, ndjekur nga Austria, Sllovakia dhe Mbretëria e Bashkuar, ku hendeku gjinor i pagave shkon në 17.3%.
Megjithëse ekzistojnë disa përjashtime (hendeku gjinor i pagave në Rumani është 3.5% dhe 5,3% në Itali), Evropa nuk performon mirë në përgjithësi kur bëhet fjalë për paga të barabarta.
Më pranë zeros
Diferencimi në paga, gjithashtu ndryshon edhe në varësi të grupmoshave. Në vitin 2019, u zbulua se hendeku gjinor i pagave në Mbretërinë e Bashkuar në mesin e punonjësve me kohë të plotë ishte 8.9%, i ngjashëm me vitin 2018 dhe një rënie prej vetëm 0.6% që nga viti 2012. Nëse përfshijmë dhe punën me kohë të pjesshme hendeku shkon 17.3% , krahasuar me 17.9% një vit më parë.
Por sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Mbretërisë së Bashkuar, teksa ngelet një pabarazi e madhe midis burrave dhe grave mbi moshën 40 vjeç, për grupmoshat nën 40 vjeç, hendeku i pagave për punonjësit me kohë të plotë shkon duke u reduktuar.
“Një nga arsyet e ndryshimeve në hendekun gjinor të pagave midis grupmoshave është se, gratë mbi 40-vjeç kanë më shumë të ngjarë të punojnë në profesione me paga më të ulëta dhe krahasuar me gratë e reja, kanë më pak gjasa të punojnë si menaxhere, drejtore ose zyrtare”, thuhet në raportin e vitit 2019.
Referuar:Euronews / Burimi i fotos: flickr