Gruaja shqiptare në shekullin XX, nga moda e fundit te saldatriçja
Disa ditë më parë, qendra kulturore “Horizontet e Reja” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare sollën përmes një ekspozite të titulluar “Kujto!”, dëshmitë fotografike të pranisë së gruas në çdo etapë të historisë së bashku me rolin, veçoritë dhe vlerat që ajo i ka shtuar shoqërisë dhe kombit shqiptar.
Ekspozita e realizuar nën kujdesin e prof.dr. Valentina Duka sjell fotografi të periudhave të ndryshme: “Gruaja në periudhën pas pavarësisë” (1912 – 1939); “Gruaja në luftë” (1939–1944); “Gruaja në realizmin socialist” (1944–1990) dhe pas 1991 “Periudha postkomuniste”. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica, u shpreh se “Kjo ekspozitë dëshmon se, megjithëse Shqipëria ka qenë një vend jo shumë i zhvilluar, sërish shohim që gruaja dhe roli i saj është prezent në shumë fotografi.
E them këtë sepse vij nga një vizitë në Rumani ku isha në 80 vjetorin e arkivit të Agjencisë rumune të lajmeve dhe vura re se mungonin foto nga jeta dhe roli në shoqëri i grave. Nëse shohim arkivin e ATSHsë ka shumë foto ku gruaja ka qenë protagoniste. Mendoj se është detyra jonë që ato foto t’i nxjerrim nga ‘pluhuri’ i kohës dhe t’i ekspozojmë për publikun”.
Fotografitë sjellin pamje të grave që nga kurset e analfabetizmit, tek ato për të mësuar zanate. I gjen duke punuar në profile nga më të vështirat, që ishin kryesisht “sektorë burrash”, në zbore me pushkë, por edhe me kostume popullore, në skenën e këngës apo rrugëve të qytetit, si nuk do e kishim menduar kurrë për kohën.
Të rralla fotografitë gjatë mbretërimit të Mbretit Zog, ku vajza nga familje të mëdha shëtisnin të veshura sipas modës së fundit. Një realitet tjetër që nuk e kemi njohur në vitet ’30. Një feminilitet që nuk mund të mos bjerë në sy, që do të zëvendësohej nga “gruaja, forcë e madhe”, në frontet më të vështira të punës. Nga gëzofët, te saldatriçja./A.A.
/panorama.com.al