Gruaja që trajnon ushtarët e ardhshëm të Kosovës
Foto/ Kosovo 2.0
Njihuni më Irfete Spahiun, gjeneralja e parë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)
Që prej datës 13 Mars, Gjeneralja Irfete Spahiu do të udhëheqë Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), ku mbahen trajnimet dhe përgatitjet profesionale për të gjithë kadetët, nënoficerët dhe oficerët aktual të të FSK-së.
“Irfete Spahiu është një jurist dhe ekonomiste dhe fëmija i parë i dy prindërve mësues tashmë në pension. Në vitet 90-të kam jetuar si gjithë bashkëmoshatarët e mi”, ka thënë Gjeneralja në një intervistë për “Kosovo 2.0”.
Spahiu fillimisht ka shërbyer në organizatën e parë joqeveritare të Kosovës, të themeluar në dhjetor të vitit 1989 nga intelektualë por edhe qytetarë të cilit kishin vendosur të ndihmonin. Pra në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si jurist.
Pas gjashtë muajve angazhim në këtë organizatë Spahiu do të betohej si ushtare e UÇK-së, ku shërbeu deri në përfundim të luftës.
Gradimi i saj në pozitën më të lartë ushtarake në strukturë – atë të Gjenerales – u quajt historik edhe nga vetë Ministri i FSK-së Rrustem Berisha, jo vetëm për gratë në institucionet e sigurisë por për gjithë Kosovën.
Gratë Ushtarake në Kosovë:
Gjeneralja Irfete Spahiu kujton që gjatë detyrës së saj si drejtoreshë e personelit sfidë ka qenë sidomos rekrutimi i vajzave dhe i grave në FSK. Nga 2 mijë e pesëqind pjesëtarë që numëron rëndom forca, asokohe vetëm 1.2 për qind ishin gra. Ajo nuk heziton të kujtojë as paragjykimet që kanë ekzistuar në shoqërinë kosovare patriarkale mbi gruan në uniformë.
“Grua në sektorin e sigurisë unë e kam përjetu në shpatullat e mia se çka do të thotë… Nuk është e lehtë”, thotë ajo. “Ka pasur paragjykime se gratë në uniformë nuk bëjnë, dhe ato [paragjykime] unë tash s’dua me i përmend dhe me i sforcu sepse i dimë të gjithë çfare kanë qenë, por mund të them se vetë përfshirja e sa më shumë grave dhe forma e trajtimit të tyre në FSK ka shërby për me i motivu gratë dhe vajzat e reja dhe sot numri i grave në FSK është rritur”.
Diku 8.2 për qind e pjesëtarëve të FSK-së sot janë gra. Kjo për Gjeneralen Irfete Spahiu, sado që mund të duket pak nga jashtë, është sukses. “Dikujt i duket ndoshta pak por unë e di se çka do të thotë me ardhë deri te kjo përqindje në shërbim ushtarak. Ka pas të atilla që e kanë provu, i kanë pa sfidat dhe e kanë lëshu”, tregon ajo për “Kosovo 2.0”.
Artikulli origjinal: http://kosovotwopointzero.com/the-woman-shaping-kosovos-future-soldiers/