Gruaja që pasi u përdhunua, 14 vjet më vonë doli në pasarelën e Pakistan fashion week
Një grua e cila u përdhunua nga disa burra dhe u detyrua të dilte lakuriq në publik me urdhër të pleqve të fisit të saj, ka dalë në pasarelë 14 vjet më vonë, në një përpjekje për të frymëzuar guxim midis grave në Pakistan.
Mukhtar Mai e vuajti përvojën e tmerrshme, si ndëshkim, pasi një këshill në Pakistan vendosi se vëllai i saj kishte fyer një fis rival në vitin 2002.
44-vjeçarja doli në pasarelë të martën gjatë javës së modës.
Një pritje me qilim të kuq në qytetin jugor të Karaçit, ku morën pjesë elita e modës në vend, shërbeu si forum për debutimin simbolik të Mai-t.
“Nëse një hap që bëj unë, në qoftë se ndihmon qoftë edhe një grua të vetme, do të isha shumë e lumtur ta bëja këtë”, tha Mai për Associated Press.
Në vend se të kryente vetëvrasje, siç bëjnë shumë gra pakistaneze në pozicionin e saj, Mai doli në publik dhe luftoi gjatë deri në Gjykatën e Lartë të vendit që sulmuesit e saj të burgoseshin.
Katërmbëdhjetë burra – përdhunuesit e supozuar dhe anëtarët e këshillit fisnor – dolën para gjyqit, dhe gjashtë prej tyre morën vendimin me vdekje. Por të gjithë u liruan në apel.
Megjithatë, Mai vazhdoi dhe u bë një avokate ndërkombëtare për të drejtat e grave dhe themeloi një organizatë bamirëse që financon strehim për gratë dhe një shkollë vajzash në qytetin e saj rural të Meerwala.
Të martën në mbrëmje, rrethuar nga top modelet Pakistaneze dhe stilistë të pasur, Mai u duk pak e turpshme dhe nervoze kur u përball me dritat e kamerave. Mai, tashmë 44 vjeçare, kishte veshur një këmishë martesore të gjelbër të qëndisur me argjend, pantallona mëndafshi, të stiluara nga Rozina Munib, me një shall që mbulonte flokët e saj.
Munib tha se kontaktoi me Mai-n për të shfaqur stilimet e saj që të dërgonte një mesazh publik se: ” Nëse keni pasur ndonjë ndodhi të keqe, nuk është fundi i jetës”
Mai buzëqeshte ndërkohë që ecte në pasarelë së bashku me disa modele të tjera në eventin përmbyllës të evenimentit tre-ditor të Fashion Week Pakistan. Më pas ajo lëvizi lirshëm midis turmës, duke biseduar me dashamirës dhe duke lejuar shumë admirues të bënin foto me të.
Ky ekspozim vjetor i modës ka filluar në vitin 2009 në kundërshtim të fondamentalistëve fetarë në Pakistan që kërkonin të zbatoheshin kodet strikte të veshjeve dhe kufizimet e sjelljes për gratë Pakistaneze.
“Unë dua të jem zëri i atyre grave që përballen me rrethana të ngjashme si e imja”, tha Mai. “Mesazhi im për motrat e mia është se ne nuk jemi të dobëta. Ne kemi një zemër dhe një tru, ne gjithashtu mendojmë.
“Unë kërkoj nga motrat e mia që të mos humbin shpresën përballë padrejtësisë, pasi një ditë me siguri do të kemi drejtësi.”/A.A.