Gruaja më e guximshme në Afganistan
Më 4 gusht të vitit 2013, dy ditë para festivalit mysliman të Bajramit, talebanët sulmuan automjetin tim me familjen time brenda. Ata vranë vajzën time nëntë-vjeçare Dunya dhe villain tim Ghulam Jailani. Motra binjake e Dunyas u paralizua për shkak të lëndimeve që mori. Unë u qëllova nëntë herë, përfshirë në mëlçi, mushkëri dhe këmbë.
U sulmova sërish më 8 janar 2015 kur katër burra të armatosur hapën zjarr mbi makinën time. Unë kam qenë në gjendje kome për dy javë dhe gati vdiqa. Kam luftuar për shërimin tim qysh atëherë dhe u desh të largohem nga vendi për trajtim. Djali im po vuan nga trauma pasi përjetoi sulmin.
Sapo dola nga spitali pas sulmit të parë unë shkova sërish drejt e në punë. Të tërë më thoshin: “Si mund të kthehesh me gjithë kërcënimet që po merr?” Por unë doja tu tregoja atyre që mund të vazhdoja punën. Dhe kam dashur ti motivoj gratë e tjera për të vazhduar edhe ato punën e tyre. Ministria e Punëve të Grave më dha një çmim si gruaja më guximtare në Afganistan.
Unë e kam paguar shtrenjtë luftën time
Por unë nuk jam vetëm. Talebanët nuk kanë mëshirë për askënd, sidomos nëse është fjala për gra që punojnë për të drejtat e grave apo grave që duan të jenë në pozita vendimmarrëse. Ata duan të përhapin frikë dhe të ndalojnë aktivitetet tona.
Sigurisht, unë e kam paguar shtrenjtë luftën time. Familja ime jeton në frikë të vazhdueshme. Ndonjëherë ndihem e turpëruar, sepse çdo gjë që ata kanë kaluar, është për shkak të punës sime dhe asaj që unë besoj. Ata më thonë: “Shiko se çfarë na ke bërë. Ne nuk kemi jetë për shkak të asaj që ti po bën.”
Gjithmonë kam menduar se do të isha e pathyeshme, por tani mendoj se jam thyer. Sot, unë jam në një vend tjetër dhe jam e sigurt dhe e mbrojtur, por për mua kjo është gjithashtu një lloj humbje. Unë dua të jem në Afganistan dhe të luftoj për të drejtat e popullit afgan.
Por jam shumë e frikësuar se familja ime do të sulmohet sërish. Ndihem si një mace, që i çoj fëmijët e mi nga një vend në një tjetër.
Ne jemi më të forta
I kam mbajtur shërbimet e inteligjencës të informuar për kërcënimet kundër meje, por përgjigjja zyrtare ka qenë e papërfillshme. Dhe ende nuk kam asnjë përgjigje se kush ishte përgjegjës për vrasjen e vajzën time dhe vëllait tim.
Qeveria afgane nuk bën asgjë për gratë. Po të kishte mjaftueshëm mbështetje, unë do të kishte pasur më shumë mbrojtje. Nëse një politikan mashkull do të kishte vuajtur kërcënimet dhe sulmet me të cilat jam përballur unë, ai do të ishte rrethuar nga truproja. Por kur vjen puna për grate, qeveria kthen kokën në anën tjetër.
Mesazhi im për gratë afgane mbrojtëse të të drejtave të njeriut është se ne jemi shumë të forta dhe më të fuqishme se burrat. Unë nuk besoj se duhet të mendojmë për të pasur barazi me burrat në Afganistan, sepse këta janë burrat që shkatërruan vendin tonë, të cilët përdhunuan fëmijë dhe bënë kaq shumë gjëra të këqija. Ne jemi shumë më të mira se ata, dhe duhet të luftojmë për këtë përmirësim, për të identifikuar pikat e forta dhe ta çojmë lëvizjen përpara./A.A.