Të jesh grua në karrierë është sfidë më vete. Veç vështirësive të zakonshme me të cilat duhet të përballet një burrë në karrierë, gratë shpesh herë përballen edhe me sulme që lidhen kryekëput me jetën e tyre private.
Në shumë raste kur gratë kanë bërë karrierë, kjo gjë i është atribuuar mbështetjes së një burri, askush nuk ka folur për aftësi, apo inteligjencë të gruas. Përkundrazi është folur për joshje dhe për marifete të ndryshme.
Gratë në politikë janë ndër më të sulmuarat sa i përket jetës së tyre private. Sigurisht që sulme të tilla për fat të keq i presim në një shoqëri patriarkale si e jona, por kur sulmi vjen nga një tjetër grua, situata rëndohet edhe më shumë.
Pak javë më parë aktivistja Evi Kokalari e angazhuar me nismën e ish Kryeministrit Berisha, përdori një gjuhë denigruese, seksiste dhe të ulët ndaj zonjës Grida Duma duke dashur ta sulmojë këtë të fundit nga ana e jetës personale.
Zonja Kokalari sulmin e ka filluar me togfjalëshin: “Grida Duma duhet nxjerrë zvarrë nga zyra”.
Më pas gjuha e përdorur nga zonja në fjalë është agravuar duke kaluar edhe në çështje personale.
“Grida Duma familjen e saj e ka shkatërruar. Ky është fakt. Ka mundësi që PD-ja konservatore të fillojë të stresojë sa e domosdoshme është besimi në Zot & familje?
Gjeneratat e reja rriten të fortë në familje të shëndetshme. Një familje e shëndetshme respekton partnerin, dhe nuk sodit në livadhet e botës.
Modernizmi që ka dashur të fus George Soros nëpërmjet OJQ, ka pasur vetëm një qëllim – DENIGRIMIN e shoqërisë”.
Zonja Kokalari vjen nga SHBA, një nga vendet më të hapura sa i përket mendimit dhe jetesës që bëjnë persona të caktuar. Por vitet e fundit në SHBA, po shihet një përhapje e madhe e mendimit dhe influencës së Konservatorëve.
Veç të qenurit kundër të drejtave të grave, të drejtave të Lgbtq-ve dhe shumë grupimeve të tjera, konservatorët nuk është se janë shumë miqësorë edhe me emigrantët. Kështu që është pak e çuditshme të shohësh një emigrante duke lobuar furishëm për një rrymë politike që nuk i preferon shumë këta të fundit.
Kalojmë sërish te deklarata e zonjës Kokalari sa I përket jetës private të zonjës Duma.
“Ajo ka shkatërruar familjen”, shprehet zonja Kokakari duke u përpjekur të hedhë kështu poshtë gjithë kontributin politik të zonjës Duma.
Në fakt është shumë e trishtë të shohësh sesi gratë në karrierë mundohen të denigrojnë figurën e grave të tjera në karrierë, vetëm se nuk e mendojnë njëlloj. Nga ana tjetër është po ashtu e rëndë të shohësh gra që sulmojnë gra si të ishin burra seksistë.
Gratë shqiptare dhe jo vetëm, kanë luftuar me shekuj për të arritur të drejta bazike në një botë ku burrat përditë me dashje ose pa dashje mundohen të na shtypin.
E drejta e votës, e drejta e punës e shumë të drejta të tjera janë të fituara me gjak, ashtu si është edhe e drejta e divorcit.
Ne si gra sot, kemi për detyrë të rrëmbejmë dhe të drejta të tjera që na takojnë dhe jo të ofendojmë e të shajmë një grua, vetëm se pati guximin dhe të drejtën të veprojë sipas të drejtës ligjore e njerëzore./ Arjola Hajdini