Gratë Kosovare, Mbi 40 Për Qind e Pranojnë Dhunën në Familje
Nga Ervin Qafmolla
Një vrojtim i kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe UNICEF-i tregon se mbi 42 për qind e grave dhe vajzave të pyetura nëse kanë qëndrim pranues ndaj dhunës në familje në rrethana të caktuara, kanë thënë “Po”.
Krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe në botë, gratë dhe vajzat e Kosovës kanë tolerancë mjaft të lartë ndaj dhunës fizike, duke lënë pas në mënyrë të ndjeshme Malin e Zi dhe Serbinë, madje edhe Malauin në Afrikë dhe Vietnamin në Azi.
Megjithatë, krahasuar me vende të tjera, Kosova mbetet pas Zimbabvesë në tolerancën ndaj dhunës, duke qenë se kjo e fundit tregon normë më të lartë aprovimi të grave ndaj goditjeve dhe rrahjeve. Të dhënat janë nxjerrë nga gjetjet kryesore të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Republikën e Kosovës (2013-2014), publikuar në fillim të javës.
Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë është një studim ndërkombëtar që realizohet nga UNICEF-i prej disa dekadash, në bashkëpunim me institucionet e statistikave të vendeve përkatëse.
Lidhur me këto të dhëna, Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), tha se problemi nuk duhet parë vetëm te burrat, por edhe te vetëdijesimi i dobët i grave.
“Na ka ndodhur t’i dëgjojmë me veshët tanë kur kanë thënë ‘mirë ia ka bërë burri që e ka rrahur se e ka merituar’, ndaj kemi të bëjmë me një problem real”, tha Rogova.
Ajo shtoi se sipas vrojtimeve të organizuara nga RrGGK-ja, arsyeja kryesore e rasteve të dhunës në familje lidhet me situatën e rënduar sociale dhe ekonomike.
“Shkaku i parë i dhunës në familje është shkalla e lartë e papunësisë”, vëren Rogova. Papunësia ndiqet nga nepotizmi dhe varfëria, si arsyet kryesore me ndikim në dhunën në familje.
Ekzistojnë disa arsye, në të cilat dhuna konsiderohet e pranueshme. Rreth 33 për qind (32.9%) e grave të anketuara (mosha 15-49 vjeç) deklaruan se burri arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan në rastet kur ajo del pa i treguar atij, kur neglizhon fëmijët, fjaloset me të, nëse refuzon të bëjë seks apo nëse djeg ushqimin.
Për të njëjtën pyetje dhe rrethana, gratë në Serbi e kishin parë dhunën si të arsyetuar në një nivel prej vetëm 3.8 për qind, ndërsa në Mal të Zi (viti 2013), 2.7 për qind. Republika e Kirgistanit, i përafrohet shumë perceptimit të grave të Kosovës mbi dhunën, duke shënuar një normë aprovimi prej 32.8 për qind.
Nëse kësaj liste u shtohen edhe disa “gabime” të tjera, norma e tolerancës ndaj dhunës nga gratë kosovare rritet nga 32.9 në 42.4 për qind. Këto rrethana shtesë janë: nëse ajo nuk kujdeset për punët e shtëpisë dhe higjienën, nëse nuk kujdeset për prindërit e tij, nëse ajo e bën burrin xheloz, nëse merr vendime për familjen pa u konsultuar me të.
Për të njëjtat grupe gabimesh, burrat shprehën aprovim për dhunën ndaj bashkëshorteve në masën 14.9 për qind për 5 gabimet e para dhe 21.9 për qind për 9 gabime në total. Ajo çka bie në sy është se burrat deklarohen aprovues ndaj dhunës fizike vetëm sa afërsisht gjysma e grave, ndërkohë që këto të fundit përfaqësojnë edhe viktimat e dhunës.
Ndërsa pakicat etnike, përfshirë romët, egjiptianët dhe ashkalinjtë e Kosovës janë trajtuar në një pyetësor më vete.
Sipas këtyre të dhënave, 74% e grave dhe vajzave nga këto pakica në Kosovë e konsiderojnë dhunën të arsyeshme për të gjitha rrethanat e mësipërme së bashku, përkundër 45 për qind të meshkujve nga të njëjtat komunitete.
Për të njëjtat komunitete, niveli i justifikimit të dhunës në Serbi llogaritet në 37%, sa gjysma e normës së aprovimit në Kosovë.
http://live.kallxo.com/sq/MTL/Grate-Kosovare-Mbi-40-Per-Qind-e-Pranojne-Dhunen-ne-Familje-5891