Gratë kërkojnë 20 për qind kuotë për kryebashkiakët e ardhshëm
Autor: Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë
Tri deputete që përfaqësojnë tre partitë kryesore parlamentare të Shqipërisë propozuan së fundmi ndryshime në kodin zgjedhor për t’i detyruar partitë politike të kandidojnë së paku 20 për qind gra për zgjedhjet e ardhëshme për kryebashkiak dhe së paku 40 për qind gra për këshillat e ardhshëm vendorë.
Projektligji i dorëzuar në kuvend për diskutim synon që të vendosë kuota gjinore për herë të parë për zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri si dhe të parandalojë disa manovra politike që në të shkuarën i bënë të pavlefshme kuotat gjinore për zgjedhjet parlamentare.
Sipas propozimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të pranojë kandidaturat e partive politike për kryebashkiakë në rast se në secilën parti gratë kandidate zënë më pak se 20 për qind të të 61 kandidaturave. KQZ-së i kërkohet gjithashtu të refuzojë listat për këshilltarë në këshillat vendorë në të gjitha rastet kur më pak se 40 për qind e kandidatëve nuk janë gra ndërkohë që kërkohet që në listë, së paku një në çdo tre emra të jetë grua.
Projektligji është propozuar nga Mesila Doda nga Partia Demokratike në opozitë, Mimoza Hafizi nga Partia Socialiste si dhe Silva Caka nga LSI. Ai është dorëzuar në parlament dhe pritet të hyjë në diskutim.
Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në Shqipëri në ndryshimet në kodin zgjedhor të vitit 2008, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Por partitë politike arritën të anashkalojnë me sukses këtë detyrim ligjor duke marrë vetëm dënime minimale. Megjithëse kodi zgjedhor kërkoi një kuotë 30 për qind për gratë në listat e kandidatëve për zgjedhje në çdo qark, partitë politike përfituan nga fakti që listat e deputetëve janë të mbyllura dhe rrjedhimisht i kandiduan gratë në fund të listës, ku shanset e tyre për t’u zgjedhur qenë minimale. Në disa raste, partitë politike kandiduan më shumë kandidatë se sa numri i deputetëve teorikë që mund të fitonin për të pasur 30 për qind gra në lista, pavarësisht se këto gra nuk kishin as edhe një shans matematikor për t’u zgjedhur.
Për rrjedhojë, në parlamentin 2009-2013, vetëm 16 për qind e deputeteve qenë gra. Në zgjedhjet e vitit 2013, partitë politike injoruan hapur kuotat gjinore të imponuara nga ligji dhe për këtë u dënuan të gjitha sëbashku me 22 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shtator 2013. Parlamenti aktual ka vetëm 19 deputete gra ose vetëm 13 për qind.
Për të shmangur përsëritjen e manovrave të tilla, projektligji i propozuar aktualisht kërkon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos pranojë kandidaturat e partive në rast se këto të fundit nuk respektojnë kuotat ligjore.
Në zgjedhjet për pushtetin vendor, njësoj si në zgjedhjet parlamentare, partitë kandidojnë me lista të mbyllura për këshilltarë, gjë që do të thotë se shqiptarët do të votojnë partitë, ndërsa këta të fundit do të përcaktojnë anëtarët e këshillave.
Mbetet e paqartë nëse propozimi i tre deputeteve do të marrë miratimin në kuvend para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015.
Premto Gogo, bashkëdrejtues i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, një grup i monitorimit të zgjedhjeve, tha për BIRN se imponimi i kuotave në zgjedhjet për kryebashkiak është një çështje e komplikuar. “Partitë politike në Shqipëri kanë premtuar se do të kenë 50 për qind kandidate gra në zgjedhjet për këshillat vendorë, por ky është vetëm një objektiv politik,” tha ai. “Gjithsesi, për zgjedhjet për kryebashkiak kjo është çështje e komplikuar. Edhe nëse do të ketë një ligj me kuota të tilla, partitë mund të zgjedhin kandidate gra në zonat ku presin të humbin,” tha ai.