Gratë e dhunuara duhet të qëndrojnë 48 orë me dhunuesin, mungojnë qendrat e emergjencës
Dhuna ndaj grave vijon të mbetet një prej problemeve më shqetësuese në shoqërinë shqiptare. Deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 3460 raste dhune, prej të cilave 2468 gra dhe vajza kanë mbetur të dëmtuara.
Bajana Çeveli, drejtuese e Rezolutës 1325 për sigurinë e grave, e vë theksin edhe tek mungesa e zyrës së emergjencës në shumë prej bashkive të vendit.
“Një grua e dhunuar ndjehet e pasigurt, sepse në Shqipëri, statistikisht janë 61 bashki me ndarjen e re administrative, vetëm 37 prej tyre e kanë një zyrë të barazisë gjinore. Shumë pak kanë qendra emergjence.“, tha ajo për “Shqiptarja.com”
Sipas Çevelit mungesa e qendrave të emergjencës lidhet edhe me keq funksionimin e sistemit të urdhrit të mbrojtjes. “
Gruaja e dhunuar ka një sistem që për 48 orë duhet të qëndrojë në familjen e saj. A mund të qëndrosh me dhunuesin në një moment ku ti tashmë e ke deklaruar si një person i cili ka ushtruar dhunë ndaj teje? Atëherë është e detyruar të kthehet sërish në shtëpinë e vet. Është 48 orë urdhri i mbrojtjes, por nëse qëllon e shtunë dhe e diel i bie që ajo grua të rri dhe tri-katër ditë pa urdhër mbrojtjeje”, theksoi Çeveli.
Në vitin 2016, 4200 gra dhe vajza denoncuan dhunën në familje, ku mes tyre 18 humbën jetën për shkak të dhunës së ushtruar. Ndërsa deri në shtator të 2017 prej 11 vrasjeve të ndodhura në familje, 8 prej viktimave ishin gra dhe vajza.