Godet me thikë përdhunuesin, procedohet për “tentativë vrasje”
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit ku një vepër kriminale ka sjellë efektin zinxhir duke kthyer në objekt të procedimit penal edhe të dëmtuarën. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vajzë 20 vjeçare e cila po procedohet për tentativë vrasjeje, pasi goditi me thikë një person që tentoi ta përdhunonte. Shtetasi Severjan Tusha, 24 vjeç, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen Manjola Gjonaj, e cila e ka goditur pesë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën. Edhe pse i plagosur, Tusha u kundërpërgjigj duke e goditur vajzën me sende të forta në kokë. Të dy personat u gjetën të plagosur nga bashkëfshatarët të cilët vrapuan në pyll kur dëgjuan britmat e vajzës, por ai që është në gjendje më të rëndë, në rrezik për jetën është 24 vjeçari, i cili ndodhet në spitalin e traumës në Tiranë. Manjola Gjonaj, ndodhet në spitalin e Rreshenit, jashtë rrezikut për jetën. Por, edhe pse u vetëmbrojt, e reja tashmë do të përballet me akuzën e “tentativës së vrasjes” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, ndërsa Severjan Tusha akuzohet për kryerjen e veprës penale të “marëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Në lidhje me thikën që ju gjet, Manjola ka thënë se e mban atë gjithmonë me vete, sepse për të kryer punët e saj të përditëshme asaj i duhet të futet në pyll, dhe se gjithmonë i është trembur sulmeve që mund ti vinin nga të panjohur./A.A.