Gjykatësi mund të humbasë vendin e punës pas komentit”Pse nuk i mbajte gjunjët e mbyllur”
Një gjyqtar kanadez mund të humbasë punën për shkak të një gjykimi të vitit 2014 në të cilin ai pyeti një 19-vjeçare, viktimë e përdhunimit, se pse ajo nuk mundi ti mbante gjunjët e saj të bashkuara.
Gjyqtari Robin Camp doli të premten para një paneli të Këshillit Gjyqësor të Kanadasë, i cili po heton incidentin dhe në fund do të vendosë nëse ai duhet të largohet nga posti i tij. Gjatë seancës, gjyqtari 64-vjeçar kërkoi falje për atë që ai e përshkroi si “pyetje fyese”.
“Nuk isha gjykatës i mirë,” tha ai për panelin prej pesë anëtarësh, raporton HuffPost Canada. “Mendoja se isha. Përdora tonin e gabuar në dhënien e këshillave. Isha i vrazhdë dhe ironik.”
Në vitin 2014, Camp e liroi të dyshuarin për përdhunimin e vajzës, Alexander Wagar, për sulm seksual. Vajza e kishte akuzuar Wagar se e kishte përdhunuar mbi një lavaman gjatë një feste në shtëpi, raportoi Washington Post.
Gjatë gjykimit, Camp bëri një numër komentesh tronditëse dhe mizogjinore, jo vetëm duke sugjeruar se gruaja donte të kishte marrëdhënie seksuale me Wagar, por edhe se ajo mund të kishte bërë më shumë për të ndaluar sulmin.
“Pse nuk i mbajte gjunjët të bashkuara?” e pyeti Camp denoncuesen.
Camp gjithashtu pyeti “pse nuk e fundose prapanicën në lavaman në mënyrë që ai të mos mund të të penetronte?” Dhe tha se “seksi dhe dhimbja ndonjëherë shkojnë së bashku”, gjë që “nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe.”
Verdikti i Camp më vonë u përmbys në apel. Wagar është planifikuar të dalë në gjyq për herë të dytë në nëntor, raporton Washington Post.
Gjatë kësaj jave, viktima i tha panelit se komentet e Camp e bënë atë të konsideronte vetëvrasjen.
“Ai më bëri ta urreja veten dhe më bëri të ndjehem se duhet të kisha bërë diçka … se isha një lloj zuske,” tha ajo, sipas HuffPost Kanada.
Alice Woolley është midis atyre ekspertëve ligjorë në Universitetin e Calgary që ngritën ankesa kundër Camp. Ajo tha për The Kanada Press gjatë kësaj jave se shpreson që paneli “do të shikojë të gjitha problemet e ngritura nga vendimi i tij – jo vetëm trajtimin e tij të denoncueses, që ishte me të vërtetë i tmerrshëm, por edhe mospërfilljen e tij për ligjin”.
Camp është urdhëruar të mos gjykojë më raste të tjera deri në një njoftim të mëtejshëm./A.A.