Gjykata e Lartë italiane – paraqitja e një gruaje është e parëndësishme në përdhunim

Gjykata e Lartë e Kasaciones në Romë, hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit, se një grua nuk mund të ishte viktimë e përdhunimit, pasi ajo mund të ishte “shumë mashkullore” dhe “jo tërheqëse”.
Në vitin 2017, një panel prej tre personash në një gjykatë apeli në Italia, liroi dy burra të dënuar për përdhunim të një gruaje, duke pretenduar se ajo nuk ishte mjaftueshëm femërore për t’u përdhunuar. Gjykata e Lartë e Italisë, e hodhi poshtë atë vendim, duke deklaruar se pamja fizike e një gruaje është “tërësisht e parëndësishme” dhe një element “jo-vendimtar” në vlerësimin e një akuze për përdhunim.
Edhe pse mjekët konfirmuan se dëmtimet e gruas ishin në përputhje me përdhunimin dhe se në sistem ajo figuronte e përdhunuar dhe e droguar prej të akuzuarve, megjithatë kjo nuk mjaftoi që Gjykata e Apelit ta konsideronte plotësisht bindëse historinë e saj. Ata arsyetuan, se ajo mund ta kishte sajuar ngjarjen, sepse një prej përdhunuesve të dyshuar “e kishte ruajtur numrin e saj në telefon, nën pseudonimin”Viking”, një aluzion për diçka tjetër, veçse jo një figurë femërore …”
Gjykata e Lartë e anuloi aktvendimin dhe urdhëroi një gjykim të ri në apel. Italianët, të indinjuar, organizuan protesta në lidhje me rastin flagrant në mbrojtje të viktimës, duke e trajtuar dhe dënuar publikisht fenomenin e përdhunimit.
Luisa Rizzitelli e grupit feminist “Rebel Network” tha: “Gjykata Supreme ka dhënë drejtësi jo vetëm për gratë në përgjithësi, por mbi të gjitha për gratë italiane të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje. Përdhunimi është një krim i tmerrshëm që nuk varet nga pamja, por nga përbuzja dhe mizoria e atyre që e kryejnë atë. ”
Përdhunimi në fjalë, ndodhi në vitin 2015 kur një grua peruane, e cila kërkoi të mbetet anonim, së bashku me një grup shkuan në një bar në Itali.
Gruaja pretendon se është droguar dhe përdhunuar nga një burrë, ndërsa tjetri ishte roje.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për lirimin e dy burrave të akuzuar për përdhunimin e gruas, një turmë protestuesish rrethuan gjykatën e Ankonës. Ata mbanin pankarta të tilla si, “Mjaft e justifikuat dhunën mashkullore mbi gratë”.
Në vitin 2018, 8.2 milionë gra italiane thanë, se ato kanë qenë të ngacmuar seksualisht të paktën një herë në jetën e tyre, shumica prej rasteve kishin ndodhur në publik. /l.k/